Aktuale

Shqipëria me masa shtesë për sigurinë kibernetike

Ministrja e Inovacionit, Milena Harito thotë se sot dimë ta imagjinojmë çdo të thotë të jemi 48 orë pa ujë, por e kemi të vështirë të imagjinojmë të jemi 48 orë pa internet, pa telefon dhe të mos kemi më rrjetin e komunikimeve.

Përparimi teknologjik e ka bërë më të lehtë jetën për qytetarët, por njëkohësisht ai e ekspozon shoqërinë ndaj sulmeve kibernetike, të cilat mund të kenë pasoja të rënda.

“Rrjeti i energjisë vetë mund të ndërpritet sepse ai menaxhohet nga sistemet digjitale. Nëse këto sisteme sulmohenn nuk kemi më energji, nuk kemi më ujë”, thotë ministrja.

Për të mbrojtur rrjetet digjitale që komandojnë këto shërbime jetike, Qeveria ka dërguar në Kuvend një ligj të posaçëm për sigurinë kibernetike.

“Për të gjithë operatorët që operojnë infrastruktura kritike për shtetit dhe qofshin këta privatë apo publikë, do të ketë masa shtesë sigurie. Një masë shumë e thjeshtë si shembull është dublimi i sistemeve dhe të gjitha këto do të kontrollohen”, deklaron Harito.

Në raste sulmesh që cenojnë bankat, Thesarin e Shtetit, rrjetet e transportit ajror, apo shërbimet të tjera kritike, ligji parashikon shpalljen e emergjencës.

“Gjatë periudhës së krizës kibernetike merren një sërë masash specifike, të cilat përcaktohen me akte nënligjore dhe që ndiqen ora-orës deri në stabilizimin e situatës. Kjo është njësoj si çdo emergjencë tjetër civile”, sqaron ministrja e Inovacionit.

Në vitin 2008, Gjeorgjia u përball me një sulm kibernetik, i cili ndërpreu thuajse çdo shërbim publik duke e çuar vendin në kaos total. Ngjarja shqetësoi qeveritë kudo në botë, të cilat janë duke forcuar masat e sigurisë për rrjetet kompjuterike.