Aktuale

Shqiptarët gjejnë rrugë të re drejt Britanisë

Porti spanjoll i Bilbaos është shndërruar në rrugëkalimin alternativ të mijëra emigrantëve të huaj që synojnë të shkojnë drejt Britanisë së Madhe, pas mbylljes së kampit në Calais, në veri të Francës.

Janë shifrat, që shtypi britanik citon nga policia spanjolle, që konfirmojnë këtë shqetësim të madh për vendasit. Sipas tyre, rreth 1.800 vetë janë ndaluar në portin spanjoll vetëm gjatë këtij viti, një shifër 5 herë më e lartë sesa në vitin 2016.

Sipas tabloidit britanik “Daily Express”, shumica e emigrantëve janë shqiptarë, por ka edhe nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

Çdo ditë, autoritetet portuale dhe të emigracionit në Portin e Bilbaos ndalojnë emigrantë që kërkojnë të kalojnë duke u fshehur nëpër tragetet e pasagjerëve dhe kontenierët e mallrave me destinacion Britaninë.

Pavarësisht nga vendosja e kamerave dhe sensorëve të lëvizjes, sërish situata po del jashtë kontrollit. Rreth 100 emigrantë, kryesisht të rinj shqiptarë, jetojnë nëpër çadrat e ngritura rreth 300 metra larg terminalit të pasagjerëve, ku tragete si “Brittany Ferries” udhëtojnë 3 herë në javë drejt portit anglez të Portsmouthit.

Pas mbylljes së “xhunglës” së refugjatëve në Calais të Francës, si trampolinë drejt Britanisë, shtypi shkuan se Bilbao në veri të Spanjës është rrugëkalimi më i madh aktual drejt Anglisë, ku synojnë të mbërrijnë mijëra emigrantë. Emigrantët shqiptarë mbërrijnë në Britani në numra ende në rritje edhe përmes rrugëve të tjera, me ose pa dokumente, duke përdorur shpesh edhe dokumente e pasaporta false të vendeve të tjera të Bashkimit Europian./t.ch