Aktuale

Shtatë të infektuar me Covid-19 në shkollat e Prizrenit

Ndonëse flitet për numër më të madh, zyrtarët arsimorë në Prizren, konfirmuan për shtatë mësimdhënës të infektuar me COVID-19 në këtë komunë, raporton “Gazeta e Prizrenit”.

Ndërkohë, që në disa shkolla po bëhen teste aerologjike për Covid, në Prizren tashmë disa punëtorë arsimorë kanë rezultuar të prekur nga koronavirusi.

Drejtoresha e DKA-së, Xhemile Thaçi-Vezgishi ka konfirmuar për gazetën se nga personeli në shkollat e Prizrenit janë 7 persona të prekur, ndërsa një mësimdhënës nga shkolla “Abdyl Frashëri” në Ortakoll është dërguar në vetizolim.

Ndonëse, burime të portalit flasin për numër më të madh të të infektuarve në këtë shkollë, madje së paku shtatë raste, drejtoresha e DKA-së mohon të ketë edhe raste të tjera.

“Lidhur me gjendjen e shkollës Abdyl Frasheri, aty ka dale pozitiv (me 16.10.2020) vetëm një mësimdhënës, i cili që dyshimet e para (09.10.2020) eshte derguar ne veteizolim ne shtepi, e qe poashtu eshte duke e bere tretmanin ne shtepi”, thuhet në përgjigjen e saj.

Zyrtarët arsimorë nuk kanë konfirmuar ndonjë rast të infektimit të nxënësve.

Në anën tjetër, përfaqësues të PDK-së në opozitë kanë kritikuar zyrtarët komunal se po fshehin shifrat e sakta të të infektuarve.

Referuar një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë situata në shkolla përcillet në vazhdimësi dhe varësisht prej situatës epidemiologjike, merren edhe vendimet midis MSH dhe MASH e DKA. Aty ku ka raste me Covid-19 ndër tjera parashihet të kalohet nga skenari i mësimit në klasa në mësimin online (nga A në C).

Ndryshe, ditët e fundit është raportuar për ngritje të lehtë të rasteve me COVID-19 edhe në komunën e Prizrenit. Një ditë më parë të infektuar kanë rezultuar 8 persona apo 3 më shumë se ditën paraprake.

the authorGazetaKNN