Aktuale

Shtyrja e mundshme e vizave, Hoxha në takime në Bruksel

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, është takuar sot me raportuesin për Republikën e Kosovës në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, me të cilin ka diskutuar për procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.
Hoxha ka thënë se i ka kërkuar Sholtesit që ky proces të shpejtohet, pasi Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim.

“Në Strasburg me mikun tim Igor Sholtess, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian. Kam kërkuar për një proces më të shpejtë të vendimmarrjes për liberalizimin e vizave. Theksoj se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe Këshilli i BE-së duhet të njohë punën dhe rezultatet tona”, ka shkruar Hoxha në Twitter.

Përveç Sholtesit, ministrja Hoxha sot është takuar edhe me David Mecallister, kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme, siguri, mbrojtje dhe të drejtat e njeriut (AFET), me të cilin gjithashtu ka diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe i ka kërkuar që Evropa të tregohet si partner i besueshëm në raport me Kosovën, pasi sipas saj Kosova e ka kryer punën për liberalizimin.

Këto takime intensive të ministres Hoxha vijnë pas disa deklaratave të kësaj të fundit, se ka mundësi që liberalizimi i vizave për Kosovën të shtyhet dhe të mos ndodhë në vitin 2018.

Ndërsa, dje presidenti austriak, Aleksander van der Bellen, ka deklaruar se është mirë që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndodhë gjatë kryesimit të Austrisë me Bashkimin Evropian. /GazetaExpress/

the authorBurbuqe Metolli