Ekonomi

Më shumë se 100 mijë euro grante për gratë e Mitrovicës

Tridhjetë e tre gra nga veriu dhe jugu i qytetit të Mitrovicës, përfituese të granteve në vlerë prej 112 mijë e 500 euro, kanë nënshkruar të martën kontratat në kuadër të projektit ‘Mjedisi i biznesit mbështetës për gratë që fillojnë biznese në veri dhe jug të Mitrovicës’.

Ky projekt është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes Programit për Zhvillim Rajonal të BE-së, ndërsa është implementuar nga organizata joqeveritare Community Building Mitrovica (CBM) në bashkëpunim me D & G Solutions.

Gjatë një konference për media të organizuar me këtë rast, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, ka premtuar se komuna e Mitrovicës do të angazhohet edhe në të ardhmen të sigurojë donacione të cilat do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.

“Ne do të jemi të angazhuar çdoherë dhe të bëjmë përpjekje të sigurojmë grante dhe donatorë të ndryshëm, që t’u ofrojmë qytetarëve tonë, njerëzve të cilët dëshirojnë vërtetë të punojnë për një të ardhme më të mirë të vendit”, ka thënë Bahtiri.

Koordinatori i këtij projekti, Kenan Beqiri, potencoi se puna që është arritur të bëhet përmes këtyre granteve, do të jetë shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik e social të qytetarëve të Mitrovicës.

Sipas tij, organizata CBM nuk do të ndalet me kaq, por do të vazhdojë edhe në të ardhmen që përmes projekteve të tilla të ndikojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve pa dallim dhe në të dyja anët e qytetit të Mitrovicës.

“Unë besoj se një element shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik dhe social është pa dyshim edhe kjo që kemi arritur si rezultat në ditët e sotme, ku 33 nga gratë kanë përfituar nga ky grant…Shuma totale e grantit ka qenë 112 mijë e 500 euro… Me siguri nuk do të ndalemi me kaq, sepse CBM-ja do të vazhdojë”, theksoi Beqiri.

Në anën tjetër, Fatmire Musa, njëra nga përfitueset e grantit, duke falënderuar të gjithë ata që kanë mundësuar këtë projekt, tha se gratë përfituese tani përveç se do të ndihmojnë familjet e tyre, ato do të kenë mundësinë që edhe të pavarësohen ekonomikisht.

“Me anë të këtyre granteve grave do t’u mundësohet të zhvillojnë biznes, e ajo që është më e rëndësishmja ne si gra do të zhvillojmë kapacitetet tona biznesore dhe të bëhemi të pavarura ekonomikisht, si dhe të përkrahim familjet tona”, tha ajo.

Edhe përfituesja tjetër nga veriu i Mitrovicës, Ollga Iliq, ka bërë të ditur se përmes këtyre granteve do të përmirësohet dukshëm problemi i papunësisë në këtë qytet.

“Me këtë projekt do të mundësohet jo vetëm zhvillimi i përgjithshëm në veri, por edhe punësimi që është problem numër një në Mitrovicë, e kam fjalën për të dyja pjesët e qytetit dhe pres që gratë, duke shfrytëzuar këtë mundësi, të zhvillojnë akoma më shumë bizneset e tyre”, ka thënë Iliq.

Ndryshe, në këtë konferencë, ku kanë munguar përfaqësuesit e BE-së dhe të veriut të Mitrovicës, veç tjerash u tha se aktivitetet kryesore të këtij projekti janë adresuar për përmirësimin e kapaciteteve të grave për të arritur sukses në drejtimin e bizneseve të tyre, ofrimin e nën-granteve për zhvillimin e produktit, zhvillimin e shërbimeve për gratë sipërmarrëse që fillojnë biznese në veri dhe jug të Mitrovicës, si dhe zhvillimin e mekanizmave për sigurimin e mbështetjes së qëndrueshme të grave sipërmarrëse në veri dhe jug të Mitrovicës me anë të mentorimit, këshillimit dhe mbështetjes përmes web platformës. /KP