Rajon & Botë

Sigmar Gabriel emërohet ministër i Jashtëm i Gjermanisë

Kryetari i Partisë Social Demokratike, Sigmar Gabriel është emëruar ministër i ri Punëve të Jashtme, pasi nga kjo detyrë është larguar Frank Walter Steinmeier, i cili do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 12 shkurt, si kandidati i vetëm i partnerëve të koalicionit.

Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck përmes një ceremonie në Pallatin Bellevue fillimisht i ka dhënë dokumentin e lirimit nga detyra ministrit të deritanishëm Frank Walter Steinmeier, ndërsa më pas në këtë detyrë ka emëruar zëvendëskancelarin dhe ministrin e Ekonomisë, Sigmar Gabriel.

Në ceremoninë e emërimit ka marrë pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Ndërkaq, në detyrën e ministrit të Ekonomisë në vend të Gabriel është emëruar Brigitte Zypries, e cila në periudhën mes viteve 2002 dhe 2009 kishte qenë ministre e Drejtësisë, ishte sekretare shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë./KosovaPress/