Aktuale

Simiq: Të gjithë deputetët e Listës Serbe janë kundër Ushtrisë së Kosovës

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq mohoi pretendimet e deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj se disa deputetë serbë nuk janë kundër formimit të ushtrisë së Kosovës.

Simiq për Radio Televizionin e Vojvodinës tha se të gjithë deputetët e kësaj Liste kanë rënë dakord që të mos i japin mbështetje as ligjit për krijimin e forcave të armatosura të Kosovës, dhe as ndryshimeve kushtetuese.

Ndryshe, ditë më parë kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Daut Haradinaj, tha se është tejet e rëndësishme deklarata e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie se Ushtria e Kosovës do të bëhet brenda këtij viti.

Haradinaj po ashtu tha se ka deputetë të Listës serbe që nuk janë kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës, pasi është edhe në të mirën e tyre.

Kryetari i Komisionit kishte thënë se janë 72 pjesëtarë serbë (oficer, nënoficer) që janë pjesë e FSK-së. Kjo sipas tij, nënkupton që ushtria do të jetë edhe për mbrojtjen dhe sigurinë e tyre.