Aktuale

Situata në Turqi nuk i ndalë kosovarët që të shkojnë për pushime atje

Situata e krijuar muajve të fundit në Turqi, e sidomos nga java e kaluar, nuk ka ndalur kosovarët që t’i bëjnë pushimet verore në rivierën turke. Zbritja e çmimeve të udhëtimit dhe hoteleve për në Antalia, e qytetet tjera të bregdetit turk, duket se ka qenë joshje e mirë për ata që preferojnë Turqinë.

Çmimet, në krahasim me vitet e kaluara, për të njëjtat vende janë në zbritje. Përfaqësuesit e agjencive turistike në Prishtinë, të cilët organizojnë aranzhmane turistike për në bregdetin turk, thonë se po vazhdon trendi i rënies së çmimeve, e kërkesat për Turqi këtë vit si pasojë e çmimeve, janë qenë më të larta krahasuar me vite më parë.

Fisnik Dragusha, menaxher në agjencinë turistike Vas Tour, thotë se zbritjet të cilat kanë filluar nga qershori, ende po vazhdojnë, dhe se ka pasur dhe ka oferta me zbritje 50 deri në 60 për qind.

 

“Çmimet si rezultat i ngjarjeve të fundit në Turqi, nuk i kisha quajt që kanë rënë, vetëm kanë vazhduar zbritjet që kanë qenë. Nëse jeni në ngjarje muajt e fundit, qershor dhe korrik, ka pasur klientë që kanë shkuar me zbritje 50 deri në 60 për qind në hotele shumë të mira, që ndoshta vitin e kaluar nuk kanë arritur t’i marrin. Këto zbritje të njëjta janë vazhdua. Nëse dikush donë me rezervua tash për pushime në Antalia, ka me kap çmime në zbritje 50 deri në 60 për qind, nëse rezervon deri me datën 31 korrik. Deri me 1 gusht nëse rezervon për periudhën e gushtin dhe shtatorit i kap këto zbritje dhe këto çmime. Numri i klientëve të cilët kanë qenë të planifikuar për me udhëtua këto ditë, pas ngjarjeve është realizuar në plotni. Antalia ka qenë totalisht e paprekur. Nuk ka pasur asnjë fluturim që është anuluar… Gjithçka që ka reflektu është që klientët me pyet pak më shumë për informacionet, të cilat vijnë prej Turqisë, sidomos prej zonës bregdetare, se çfarë situate është krijuar atje”, tha ai.

Dragusha thotë se si pasojë e çmimeve të zbritura, këtë vit është rritur edhe numri i turistëve kosovar që kanë vizituar bregdetin turk . Ai thotë se deri më tani  rreth 19 mijë kosovarë i kanë kaluar pushimet në Turqi dhe se deri në fund të sezonës pritet që numri i turistëve të jetë mbi 20 mijë.  Ai thotë se me kthimin e turistëve në Turqi, çmimet atje filluan të ngritën, por pas ngjarjeve të fundit ato sërish kanë vazhduar me ulje.

 

“Korriku sivjet ka qenë tepër i lirë. Kanë ndërlidh dy gjëra, që janë Ramazani dhe rasti me Rusinë, rënia e tregut të Rusisë. Edhe pse tregu i Rusisë u kthye, dmth pat kthim të tregut të Rusisë. Kemi pasur diku rreth 10 fluturime në ditë që janë realizuar nga Moska, në këto 10 ditët e fundit dhe kjo ka ndiku pak që hotelet të shtrëngohen edhe nga aspekti i çmimeve. Mirëpo këto dy, tre ditët e fundit, ndoshta për shkak të rastit që ndodhi në Stamboll ka pasur vazhdim të kontratave me çmime të lira, 50, 60 për qind zbritje në hotele shumë të mira”, tha ai.

Edhe Fidane Ymeri, përfaqësuese për media në agjencinë turistike“Fibula”, thotë se me gjithë ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Turqi, kërkesat e kosovarëve për ta vizituar bregdetin turk vazhdojnë të jenë të mëdha.

 

“Vazhdimisht kemi kërkesa, nuk ka ndonjë rënie. Situatat është e qetë. Antalia nuk është diçka me u frikësu qytetarët, ose me u ndal me shku. Shtatë herë në jave jemi duke i realizuar fluturimet për atje… çmimet vazhdojnë të jenë më të lira. Si Fibula ne ofrojmë dhe çmime shumë speciale, duke filluar prej çmimeve 199 euro e tutje. Tek hotelet me pesë yje prej fillimit të zezonës kanë pasur zbritje prej 45 deri 50 për qind… Përndryshe ne kemi oferta speciale gjatë gjithë kohës”, tha ajo.

Ndërsa Albion Idrizi menaxher në “Altavia Travel”, thotë se Turqia vazhdon të jetë ende shumë e kërkuar nga kosovarët, megjithëse ngjarjet e fundit atje kanë ndikuar pak në kërkesën e udhëtarëve. Idrizi thekson se çmimet e ulëta gjatë verës ’16, kanë ndikuar dhe në rritjen e kërkesës dhe kapaciteteve për Turqinë. Ai tha se gjatë kësaj vere janë duke u bërë nga 14 fluturime në javë dhe kjo është një ngritje prej 40 për qind krahasuar me vitet kaluara.

 

“Në krahasim me vitet paraprake, çmimet ende mbesin të ulëta. Turqia ende mbetet një destinacion shumë i kërkuar nga kosovaret dhe gjendja në Turqi në atë pjesë ku dhe realizohen këto fluturime në Antalia ka qenë dhe mbetet shumë e qetë. Është gjendje normale. Nuk kemi vërejtur ndonjë eufori apo kërkesë masive për anulim. Por natyrisht njerëzit janë të brengosur, na thirrin me shpesh për të na pyetur si është gjendja…Çmimet janë ende të arsyeshme për këtë sezon. Sepse ne po flasim tani ku sezona më e lartë e çmimeve është në ‘pikun’ e saj. Dhe krahasuar me vitin e kaluar janë dukshëm më të ulëta”, tha ai. /KP/