Sport

Skandal në futbollin shqiptar, arrestohet trajneri i Kombëtares Shqiptare

Futbolli shqiptar është përfshirë nga skandali, ndërsa trajneri i kombëtares së femrave Armir Grima u arrestua nga Policia e Shtetit ditën e djeshme. Tekniku 44 vjeçar u vu në pranga në Shkodër gjatë operacionit “Oaz” dhe ai akuzohet si pjesë e grupit “Bajri”, një nga personat më të kërkuar në Belgjikë. Në total numri i të arrestuarve shkon në 11, ndërkohë që 2 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Ky lajm ka tronditur botën e futbollit në vend, ndërsa Grima që nga muaji maj i 2016-ës kishte marrë drejtimin e kombëtares shqiptare të futbollit për femra dhe kishte për mision që ta zhvillonte edhe më shumë këtë sport.

Grima ka qenë portier i ekipit të futbollit të Vllaznisë në vitet 1998-2001, kohë kur ky ekip është shpallur kampion. Gjithashtu, ai ka pasur detyrën e drejtorit teknik të skuadrës, ndërsa ka mbajtur herë pas here edhe pozicionin e trajnerit në momentet kur ekipi kuqeblu kishte probleme. Grima në vitin 2013 ka qenë kandidat për deputet i PD-së në zgjedhjet parlamentare. Operacion policor “Oaz” u shtri në Tiranë, Shkodër, Roterdam dhe Holandë.

Arrestimi i tij njollos imazhin e futbollit shqiptar. Në të kaluarën ky sport ka qenë në qendër të vëmendjes së medieve ndërkombëtare pasi është hetuar për shitjen e ndeshjeve.