Rajon & Botë

Skandali i ri britanik: Qindra policë të akuzuar për abuzim seksual

Pas hetimeve për ngacmim seksual të të miturve nga ngjarja e ‘kampusit të futbollit’, tani mbi 300 punonjës të policisë janë akuzuar nga qytetarët e zakonshëm të kenë bërë abuzime dhe ngacmime duke shfrytëzuar “fuqinë” që kishin nga uniforma dhe pozitat që mbanin, raporton BBC, transmeton KosovaPress.

Skandali doli në publik pas raportimit të Komisionit Inspektues të Policisë në Angli dhe Uells, që flet  për periudhën dy vjeçare nga viti 2014 e deri në mars të këtij viti (2016), në të cilën edhe epen emrat e të dyshuarve për ngacmime dhe abuzime seksuale. Në mesin e viktimave të policisë, dalin të jenë edhe shumë gra që i ishin drejtuar Policisë me kërkesë për ndihmë ngase nga burrat në shtëpitë e tyre kishin përjetuar dhunë, ndërkohë që në vend të ndihmës policët abuzuan me to.

“Kjo është forma më e keqe e korrupsionit dhe shkeljes së detyrave dhe nuk mundemi në asnjë rrethanë ta justifikojmë apo ta falim”, tha inspektori policor Stephen Watson, i cili drejton një organ antikorrupsion në Policinë britanike. Ndërkohë që ministri i Brendshëm Amber Rudd, e quajti raportin “tronditës”, sepse “mund të minojë besimin e publikut në Polici”.

Inspektori policor tha se viktimat e dhunës ishin kryesisht njerëz që kishin përjetuar dhunë në familjet e tyre, më pas njerëz të varur nga droga, punëtorët e seksit, të arrestuar dhe grupe të tjera.

Ndërkohë, në deklaratën nga Këshilli i Drejtorisë Policore Kombëtare (NPCC), abuzimet seksuale janë cilësuar si “sëmundje”. “Abuzimet seksuale janë lloji më serioz i korrupsionit. Kurrë nuk mund të shfaqen si të drejta apo të shpërfillen”, theksohet në deklaratë.

Ndryshe, në Angli dhe Uells detyrën e ushtrojnë gjithsej 200 mijë nëpunës policorë.

the authorSamir Dalipi