Sport

Sokoli flet rreth mundësisë së kandidimit të tij për president të FFK-së

Trajneri Bylbyl Sokoli nuk ka dashur t’i komentojë spekulimet se ai mund të bëhet presidenti i ardhshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, shkaku edhe i gjendjes në futbollin kosovar.

Pozita e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës ka qenë shkas i shumëpakënaqësive në futbollin kosovar gjatë kohës së fundit
Një grup opozitar i presidentit Agim Ademi dhe kryesisë së FFK-së ka insistuar që Ademit i takonte mandati i presidentit vetëm deri në janar të këtij viti, e jo deri në vitin 2022 siç synon ta mbajë Ademi.

Në mesin e personave që janë përfolur për pozitën e presidentit të FFK-së ka qenë edhe Bylbyl Sokoli, përkundër që ky i fundit nuk e ka shprehur asnjëherë publikisht një synim të tillë.

I pyetur për mundësinë e kandidimit për postin e kreut të Federatës, Sokoli preferoi të mos e komentojë këtë gjë.
“Unë tash nuk do të flas rreth kësaj. Këto kanë qenë vetëm në kohën kur ka pasur shumë fërkime. Për këtë çështje nuk do të flas tash”, ka thënë Sokoli në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Nuk mund të flas në këtë moment rreth kësaj për shumë arsye, për shkak të situatës në të cilën jemi. Thashë që në situatë pandemie, nuk është korrekte të luftojmë për pozita. Kur të përfundojë gjithçka, duhet të ulemi dhe të diskutojmë se çfarë është në të mirën e futbollit”.