Arsim & Kulturë

Sonte jepet shfaqja “Si nëna si e bija” në “PITF 2018”

Nata e pestë e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Kosovë “Prishtina International Theater Festival 2018” (PITF 2018), do të sjellë në skenën e teatrit “Faruk Begolli”, në Kolegjin AAB, shfaqjen “Si nëna si e bija”, nga Kroacia.

Në konferencën për media, aktorët e shfaqjes nga Kroacia, Mia Krajcar dhe Mirta Zečević, shprehën mirënjohje ndaj festivalit, si dhe thanë që këso teatri dhe ambienti, rrallë herë kanë parë.

Ato gjithashtu potencuan se gjatë përgatitjeve të këtij projekti teatror kanë hasur në peripeti të ndryshme, kjo sepse historia që përmban kjo shfaqje ka të bëjë me një temë të ndjeshme siç është ajo e nënës dhe së bijës.

Aktorja, Mia Krajcar, e cila ishte edhe pjesë e edicionit të parë të PITF2018, gjatë konferencës tha se pret që kjo shfaqje të mirëpritet edhe nga audienca e Kosovës.

“Kjo storie ka të bëjë me relacionin e nënës dhe të bijës, kjo sepse lidhja e tyre nuk është gjithmonë e artë. Nëna e godet atë dhe keqtrajton. Kjo ka të bëjë me problemet që kanë nënat dhe fëmijet e tyre. Në një mënyrë kur ti sheh shfaqjen të kujtohet çdo relacion i mundur që ti mund ta kesh parë në mes të nënave dhe fëmijeve të tyre që nuk kanë gjuhë të përbashkët. Unë shpresoj që kjo shfaqje të ju pëlqejë edhe juve” tha ajo.

Ndërsa, Mirta Zečević, tregoi se idea për të organizuar një festival të teatrit në Kosovë i ka pëlqyer shumë. Ajo gjithashtu tha se është e habitur me të arriturat që AAB ka.

“Jam me të vërtetë e habitur për këtë universitet, është shumë i mirë dhe gjigand edhe pse është universitet privat, kjo se pengon aspak. Ju gjithashu posedoni edhe këtë teatër, kjo është diçka mahnitëse”, shtoi Zečević.

Kujtojmë se edicioni i dytë i Teatrit Ndërkombëtar të Prishtinës, PITF2018, do të vazhdojë deri më 05 dhjetor në teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB dhe sonte mund ta ndiqni shfaqjen “Si nëna si e bija”, nga ora 19.00.

the authorBurbuqe Metolli