Rajon & Botë

Spanja shënon 324 viktima nga koronavirusi për 24 orë

Vetëm për një ditë, në Spanjë janë regjistruar 324 vdekje të reja nga koronavirusi, duke e çuar në 1326 numrin e përgjithshëm të viktimave në këtë shtet.

Ministria e Shëndetësisë e Spanjës gjithashtu njoftoi se rritje të konsiderueshme është shënuar edhe në shifrën e personave të infektuar – rreth pesë mijë për 24 orë. Tash, në Spanjë janë rreth 25 mijë të prekur.

Shifrat shqetësuese u konfirmuan pasi Spanja u bë shteti i katërt në botë me më shumë se një mijë viktima si rezultat i pandemisë. Ky shtet tashmë ndodhet në pozitën e katërt edhe për shifrën e përgjithshme të të prekurve në botë, pas Kinës, Italisë dhe Iranit.

Qeveria spanjolle e shpalli gjendjen emergjente të shtunën. Kryeministri Pedro Sanchez ka dhënë urdhër për mbylljen e hoteleve, kafeneve, restoranteve dhe hapësirave publike, ndërsa nga turistët u kërkua largimi i menjëherëshëm nga vendi, shkruan “Metro UK”, transmeton Gazeta Express.

Qytetarët janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi, përpos rasteve kur janë të detyruar të dalin për të blerë ushqim apo ilaçe dhe kur duhet të shkojnë në punë apo në spital. Edhe ushtria është mobilizuar për të patrulluar rrugëve, ndërsa autoritetet e sigurisë kanë të drejtë t’i izolojnë njerëzit në shtëpitë e tyre dhe të japin urdhra për evakuime.

Numri i personave të vdekur nga koronavirusi në Evropë shënoi rritje të ndjeshme gjatë javës që po e lëmë pas. Vendi më i prekur në kontinentin e vjetër vazhdon të mbetet Italia, ku vetëm të premtën vdiqën 627 persona.

the authorGazetaKNN