Rajon & Botë

Spanja shënon rekord të ri të viktimave të virusit: 864 të vdekur për një ditë

Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Spanjë është rritur në numër rekord për të dytën ditë me radhë. Vetëm në 24 orët e fundit, në këtë shtet u shënuan 864 vdekje të reja.

Përpos të vdekurve, u shënuan edhe 7719 raste të reja të infektimeve, duke e çuar në 102,136 numrin e përgjithshëm të të infektuarve, kurse numri i të vdekurve shkoi në 9053, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Spanja është duke iu afruar shpejt Italisë me shifra të infektimeve dhe vdekjeve. Tash për tash, Italia ka më së shumti të vdekur në botë me gati 12 mijë e 500 viktima.

Italia ishte e para në Evropë që mori vendim për karantinë të plotë në mbarë vendin më 10 mars. Numri i infektimeve atje ka filluar të zvogëlohet, duke ngjallur shpresë se njësoj do të ndodhë edhe me shifrën e viktimave në ditët e ardhshme.

Sidoqoftë, Spanja e mori vendimin për karantinë katër ditë pas Italisë dhe numri i infektimeve në këtë shtet po vazhdon të rritet. Të martën u shënua rekord prej 9222 rasteve të reja.

Spanja dhe Italia janë dy vendet më të prekura nga koronavirusi në Evropë. Numrin më të madh të infektimeve në botë e kanë Shtetet e Bashkuara me rreth 190 mijë të infektuar.

the authorGazetaKNN