Aktuale

Specialja përballet me obstruksione nga ana e DSK-së, prokurorët e kaluan natën aty

Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë është ankuar për mosbashkëpunim të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. Sipas Katica Janevës DSK-ja pamundëson zbatimin e urdhrit të gjykatës.

Këtë porosi ia përcolli mediave prokurorja speciale Katica Janeva në një konferencë të jashtëzakonshme në orën një pas mesnate, duke theksuar se hetimet po vendnumërojnë dhe se nuk ka asnjë përparim në drejtim të zbatimit të urdhrit gjyqësor. Megjithatë u shpreh e prerë se ajo dhe ekipi i saj janë të gatshëm të qëndrojnë deri në zbatimin e plotë të urdhrit të gjykatës.

Janeva gjithashtu deklaroi se DSK nuk po bashkëpunon, dhe se drejtori i sigurisë publike Mitko Çavkov dhe zëvendësministri i Brendshëm Oliver Andonov po tregojnë mungesë të respektit ndaj prokurorëve të PPS-së.

Edhe pse urdhri ka të bëjë me Drejtorinë për Zbulim dhe Kundërzbulim, Janeva hedh dyshime për praninë e Mitko Çavkovit në DSK, dhe pse kjo gjë nuk po sqarohet.

Menjëherë pas deklaratës së Janevës para mediave janë paraqitur edhe Andonovski dhe Çavkov duke akuzuar prokuroren speciale se me qasjen e saj joprofesionale mund të shkaktoj pasoja mbi operacionet që janë në rrjedh e sipër dhe të cilat janë të rëndësishme për sigurinë kombëtare.

“Edhe përkundër bashkëpunimit të parë u ballafaquam me një moment të obstruksionit që të marrim informata dhe dëshmi në bazë të urdhrit gjyqësor. Bëhet fjalë për një informatë specifike e cila është e rëndësisë kruciale për punën tone. Ne nuk heqim dorë përderisa nuk e zbatojmë në tërësi urdhëresën gjyqësore”, deklaroi më herët Janeva.