Sport

Stam: Askush s’besonte te Van Dijk, tani ai është lider

Ngritja e Virgil Van Dijkut gjatë karrierës së tij është mirëpritur nga bashkëkombësi holandez, Jaap Stam, i cili thotë se mbrojtësi i Liverpoolit është transferuar nga një lojtar te i cili s’kishte besim askush te një lider.

28-vjeçari ka qenë mbresëlënës dhe ka arritur ta transformojë mbrojtjen e Liverpoolit që kur e siguroi transferimin rekordthyes për 75 milionë funte në Anfield, në janar të vitit 2018, transmeton Gazeta Express.

Ai ka arritur të fitojë statusin e njërit ndër lojtarëve më të mirë në botë aktualisht, pasi që me Liverpoolin arriti të shijojë triumf në Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube.

Për shumë tifozë, transferimi i Van Dijk ishte pjesa e fundit që mungonte në mozaikun e Liverpoolit të Jurgen Kloppit, përderisa anglezët synonin t’i jepnin fund pritjes së gjatë për trofe.

Paraqitjet e tij kanë qenë aq mbresëlënëse saqë ai ishte afër t’ia marrë Lionel Messit çmimin Topi i Artë vitin e kaluar, përderisa u zgjodh lojtari më i mirë në botë nga UEFA. Të gjitha këto kanë bërë që Jaap Stam ta vlerësojë tani si lider Van Dijkun.

“Është shumë e këndshme që po e shoh një tjetër mbrojtës holandez që po arrin nivele të tilla sepse, në fillim të karrierës së tij, askush s’i besonte Virgilit dhe askush s’e vlerësonte si mbrojtës cilësor”, ka thënë Stam.

“Ekipet e mëdha në Holandë nuk donin ta blinin dhe pastaj ai vendosi të shkojë në Skoci për të luajtur për Celticun. Zhvillimi i tij atje ishte i mrekullueshëm dhe ai u bë lojtar më i mirë për veten dhe për ekipin e tij”.

“Pastaj ai kaloi në Premierligë me Southamptonit dhe natyrisht ai u zhvillua edhe më shumë dhe kjo të tregon se çfarë lojtari është ai dhe çfarë personi është ai”.

“Tani në Liverpooli sërish, ai e ka bërë një hap të madh, ka shkuar në një klub të madh me shumë lojtarë cilësorë dhe është lider në atë skuadër. Ai dëshiron t’u ndihmojë edhe lojtarëve që i ka përreth”.

the authorGazetaKNN