Aktuale

Statovci: Nuk garantojmë se do të ketë liberalizim të vizave më 2017

Edhe pse drejtues të ministrisë së Integrimeve Evropiane nuk garantojnë se edhe në vitin 2017 Kosova do ta ketë liberalizimin e vizave, megjithatë theksojnë se gjasat ekzistojnë që mos të jetë më vendi ynë i izoluar në aspektin e lëvizjes së qytetarëve pa viza në vendet shengen.

Pavarësisht se Kosova ka përmbushur 93 kritere të kërkuara nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave, janë edhe dy kritere që duhet të përmbushen nga autoritetet kosovare, luftimi i korrupsionit dhe ratifikimi i marrëveshjes për kufirin Kosovë – Mali i Zi.

Zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane Anila Statovci, në një intervistë për KosovaPress nuk ka garantuar se mund të ketë liberalizim të vizave më 2017, mirëpo ajo beson se po të përmbushen edhe këto dy kritere,  gjasat  janë të mëdha që sivjet të kemi liberalizim.

 

“Liberalizimi i vizave, gjasat janë shumë të mëdha, po flasim për gjasa meqenëse nuk kam rezultate konkrete sa i përket përmbushjeve të kritereve të demarkacionit. Gjasat janë të mëdha që edhe sivjet do ta kishim liberalizimin e vizave po të kishte qenë i përmbushur ratifikimi i demarkacionit. Pra, unë mund të flas vetëm për gjasa meqenëse nuk di asgjë konkrete dhe nuk jam në situatë të konfirmoj për deputet në parlament se kur do të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi ose në çfarë forme do të behët ajo”, tha Statovci.

Ajo beson se nëse miratohet në kuvend demarkacioni me Malin e Zi, obligimet duhet të zbatohen edhe nga Bashkimi Evropian, për hir të kredibilitetit të vet institucional.

 

“Njësoj sikurse kanë vendosur ato kritere për Kosovën njësoj vlejnë edhe obligimet e Bashkimit Evropian meqenëse jemi në një raport kontraktual dhe besoj shumë se as Bashkimi Evropian për hir të kredibilitetit të vet institucionit nuk ka interes të mos veproj mbi bazën e asaj çka ka dakorduar vet’, tha Statovci.

Liberalizimi i vizave, sipas saj është temë bukur e ndjeshme ngase ndërlidhet edhe lufta kundër korrupsionit.

Megjithatë, Statovci tha se është një proces i vazhdueshëm afat gjatë dhe i pa ndalur, ngase në saje të punës që është bërë në data bazë janë 33 raste të krimeve të rënda të korrupsionit. Ky kriter, për zëvendësministren konsiderohet si përmbushje.

 

“Përderisa lufta kundër korrupsionit është një proces i vazhdueshëm afat gjatë dhe i pa ndalur, megjithatë në saje të punës që kemi bërë në data bazë janë 33 raste të krimeve të rënda të korrupsionit të cilat janë në atë data bazë… Është një prej kritereve ku do të mund të raportonim një progres të caktuar, i cili do të konsiderohej si përmbushje e këtij kriteri”, theksoi ajo.

Statovci theksoi se në bazë të deklaratave të Komisionarit për Zgjerim Johanes Hahn, korrupsioni nuk do jetë ‘guri pengues’, porse demarkacioni është kriter që duhet përmbushur.

 

“Këto dy kritere duhet t’i përmbushim, kjo për korrupsionin mund edhe të konfirmohet edhe vet Komisioneri Hahn kur ishim në Bruksel më 25 nëntor që nuk do të ishte guri pengues, por demarkacioni është kriteri tjetër të cilin ne duhet ta përmbushim”, theksoi Statovci.

Statovci e cila drejton Ministrinë e Integrimeve, beson se megjithatë do të ketë një unitet në mes të deputetëve për një konsensus në të mirë të Kosovës. /KosovaPress/