Arsim & Kulturë

Studentët e Fakultetit Juridik arrijnë në finalen e garës HNMUN të organizuar nga Universiteti i Harvardit

Ka përfunduar me sukses gara prestigjioze ndërkombëtare e studentëve të drejtësisë, HNMUN që organizohet nga Universiteti i Harvardit, e ku Kosova u përfaqësua nga studentët e Fakultetit Juridik të Kolegjit AAB.

Në edicionin e sivjetmë, të 67-tin me radhë, studentët: Lirie Hoti, Enxhi Ballata, Dafina Uka e Leandrit Llunji, të udhëhequr nga profesorët Egzonis Hajdari e Skender Gojani, arritën të bëhen pjesë e garës finale në këtë kompeticion që këtë vit u mbajt online për shkak të pandemisë COVID-19.

Me këtë rast, në rektoratin e Kolegjit AAB u organizua një pritje për pjesëmarrësit, me ç’rast u ndanë mirënjohje për suksesin e treguar.

HNMUN që është një simulim i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, studentët u sfiduan në katër komitete të ndryshme: Komiteti Ligjor, Komiteti Ekonomiko – financiar, Komiteti për ambient, dhe Komiteti për siguri.

Detyrë e studentëve ishte propozimi i draft rezolutave për çështje të rëndësishme globale, ndërsa suksesi i studentëve tanë ishte që arritën me sukses që propozimet e tyre të jenë pjesë e draft rezolutave të përzgjedhura.

Gara HNMUN ishte suksesi i dytë ndërkombëtar i studentëve të Fakultetit Juridik, pas çmimit të fituar gjatë vitit të kaluar në garën ndërkombëtare të studentëve për ndërmjetësim të mbajtur në Lituani.