Arsim & Kulturë

Studentët e Kolegjit AAB marrin pjesë në garën HNMUN të Universitetit të Harvardit

Nga data 11-14 shkurt 2021, studentët e Kolegjit AAB do të marrin pjesë në edicionin e 67-të të Konferencës Ndërkombëtare të studentëve HNMUN (Harvard National Model United Nations), e që organizohet nga Universiteti i Harvardit.

Ekipi i studentëve të Fakultetit Juridik të Kolegjit AAB, do të marrin pjesë për herë të parë, duke qenë përfaqësuesit e vetëm të Kosovës në këtë garë prestigjioze, bazuar në listimin zyrtar të pjesëmarrësve.

Ekipi pjesëmarrës i AAB-së në përbërje të studentëve Lirie Hoti, Enxhi Ballata, Leandrit Llunji e Dafina Ukaj, e nën udhëheqjen e profesorëve Egzonis Hajdari e Skender Gojani, janë përzgjedhur përmes një konkursi publik, pas procedurave të testimit dhe intervistimit të aplikantëve për këtë garë.

Në edicionin e sivjetmë të garës HNMUN do të marrin pjesë mbi 1000 delegatë nga 32 shtete të botës, ndërsa gara do të konsistojë në diskutimin e çështjeve të rëndësisë së veçantë në botë dhe gjetjen e zgjidhjeve të ekuilibruara dhe të integruara për to.

Studentët pjesëmarrës në këtë garë u shprehën të entuziazmuar me pjesëmarrjen duke theksuar se ky është një rast i veçantë për ta për të përfaqësuar vendin dhe në veçanti Kolegjin AAB në këtë ngjarje ndërkombëtare. Nga ana tjetër rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha, përgëzoi studentët që do të marrin pjesë në këtë garë duke u uruar suksese dhe duke theksuar se kjo është edhe një arritje e studentëve të Fakultetit Juridik të Kolegjit AAB, për të qenë në hap me studentët anekënd botës.

Edhe mentorët udhëheqës të ekipit të AAB-së, prof.ass.dr. Egzonis Hajdari e prof.ass.dr. Skender Gojani, e vlerësuan pjesëmarrjen në këtë garë si shumë të rëndësishme, duke shprehur bindjen dhe besimin në pjesëmarrjen e suksesshme të studentëve tanë.

Vlen të theksohet se studentët e Fakultetit Juridik, gjatë vitit të kaluar sollën edhe një shpërblim tjetër për Kolegjin AAB nga gara ndërkombëtare e studentëve për ndërmjetësim, e mbajtuar në Lituani.