Aktuale

Sulmohen dy policë, arrestohet pasagjeri i një veture

Dy zyrtarë policorë janë sulmuar në Kamenicë gjatë ditës së sotme.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani tha për KALLXO.com se policët janë sulmuar pasi kanë shqiptuar dy tiketa, njëra nga to për pasagjerin i cili po gjendet në veturën e ndaluar nga policia.

“Dy policë janë sulmuar gjatë ditës së sotme. Patrulla e policisë ka ndaluar një veturë dhe gjatë kontrollit dhe dokumentacionit i kanë shqiptuar vozitësit një tiketë. Një tiketë tjetër i është shqiptuar edhe pasagjerit i cili ishte në veturë”, tha Hashani.

Sipas Hashanit, tiketa e shqiptuar ndaj pasagjerit ka bërë që ky i fundit në shenjë revolte të sulmoj zyrtarët policorë.

“Në shenjë revolte pasagjeri i dyshuar ka dalë nga vetura dhe ka sulmuar dy policët. Policia ka marrë kontrollin dhe ka arrestuar të dyshuarin. Ai është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha Hashani.

Sipas tij, rasti është iniciuar si sulm ndaj personave zyrtar në kryerje të detyrës.