Aktuale

Tahiri: Kosova merr kodin shtetëror, ditë historike

Marrja e kodit shtetëror, +383 për Kosovën është një arritje e madhe dhe ditë e veçantë. Kështu tha në një konferencë për media ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës Edita Tahiri.

Në mes  tjerash ajo tha se  pas shumë peripecive e negociatave që s’ishte aspak e lehtë, kjo është arritje e madhe dhe historike për shtetin e Kosovës.

Tahiri uroi të  gjithë qytetarët e Kosovës, për marrjen e kodit telefonik ndërkombëtar dhe falënderoi të gjitha institucionet, për këtë arritje siq tha ajo madhore rreth këtij objektivi madhor për shtetin dhe sektorin e telekomunikacionit.

 

“Marrja e kodit telefonik për shtetin, ka rëndësi të madhe. Efektet e saj janë shtetërore, të sovranitetit shtetëror, efekte ekonomike dhe të sigurisë. Kodi telefonik forcon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës . Me kodin telefonik Kosova e fitoi identitetin shtetëror në fushën e Telekomit. Kosova fitoi njohje ndërkombëtare të pavarësisë së saj, në fushën e Telekomit. Efektet ekonomike janë të mëdha janë milionëshe, sepse nuk do të ketë më shpenzime financiare, siç kemi pasur deri tani duke paguar kode të shteteve të huaja. Kodi telefonik krijon mundësi për shërbime me të mira të telefonisë dhe për kosto më të favorshme për qytetarët tanë. Kodi telefonik ndërkombëtar, është rezultat i marrëveshjes së Brukselit. Kosova është pronare e kodit. Kosova administron vet me kodin telefonik. ..Kosova do ta ketë vetëm një kod 383. Do të shuhen të gjitha kodet ekzis tuese. Nuk do të ketë më 381, 377 dhe 386. Qytetarët e Kosovës më në fund do të identifikohen me kodin e shtetit të vet në gjithë botën dhe jo si në të kaluarën me kodet e shteteve tjera. Shuhen operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, që kanë vepruar që nga përfundimi i luftës. Thirrjet e Kosovës me Serbinë dhe anasjelltas janë thirrje ndërkombëtare. Vendoset kufiri frekuencor mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë“, tha Tahiri.

E pyetur se kur do të shkrihet fusnota me të cilën identifikohet Kosova, ajo tha se fusnota u ka ndihmuar pesë shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën për ta mbështetur atë në marrjen e kodit telefonik.

 

“Siç e dini ITU, është organizatë e OKB-së .Sektorin e Telekomit po ashtu siç e dini të gjithë, Kosova ende nuk e ka njohjen e plotë nga gjitha vendet e botës në mënyrë që këto vende mos njohëse të japin përkrahje kodit dhe që ITU të marr vendim mbi mbështetjen e vendeve anëtare. Fusnota është mekanizmi që i ka mundësuar këto vende ta mbështesin kodin telefonik për Kosovën….Pra pesë vendet mos njohëse , ju shërbeu fusnota që të mbështesin që ta marrim kodin”, tha Tahiri.

Kreshnik Gashi, kryetar i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, (ARKEP), tha se Kosova do të ketë qasje në ITU drejtpërdrejt dhe se Kosova do të jetë përgjegjëse për implementimin e kodit shtetëror.

“Kodi 383 do të jetë kod unik , do të përdoret nga të gjithë operatorët që veprojnë në Kosovës. Ky do të përdoret edhe për telefonin fikse si dhe të mobile. Republika e Kosovës, do të jetë përgjegjëse e vetme për implementimin e kodit shtetëror, sigurisht në këtë aspekt ARKEP si autoritet rregullativ për telekomunikime ka përgjegjësin kryesore të komunikoj me ITU-në dhe do të jetë administrator kryesor i kodit 383. Thirrjet mes Kosovës dhe gjithë botës dhe Serbisë do të jenë thirrje ndërkombëtare. “, tha Gashi.

Tahiri nuk ka pranuar asnjë pyetje jashtë temës për çka e ka organizuar konferencën./KosovaPress/