Rajon & Botë

Takim historik në kufirin midis dy Koreve, këto janë të gjitha detajet

Kim Jong-un do të bëhet të premten lideri i parë koreanoverior që nga lufta që do të kalojë vijën e demarkacionit ushtarak që ndan gadishullin korean, njofton BBC
Ai do të takohet me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, takimi i parë diplomatik i këtij niveli pas më shumë se një dekade.

Detajet më të fundit mbi takimin sipas Koresë së Jugut thonë se Moon do ta takojë Kim në kufi në 9:30 me orën lokale (00:30 GMT).

Bisedimet historike do të fokusohen në sugjerimet e fundit nga Koreja e Veriut se do të jetë e gatshme të heqë dorë nga armët e veta bërthamore.

Por Seuli ka paralajmëruar se arritja e një marrëveshjeje do të jetë e vështirë sepse teknologjia bërthamore dhe raketore e Koresë së Veriut ka përparuar shumë nga hera e fundit kur janë kryer bisedime.

Ky takim është një ngjarje shumë e rëndësishme pas shumë viteve tension në gadishull. Ai është rezultat i përmirësimit të marrëdhënieve muajt e fundit dhe i hap rrugën një takimi të mundshëm të Kim me Presidentin amerikan Donald Trump.

Përveç çështjeve për ambiciet bërthamore, liderët pritet të diskutojnë rrugën për paqe në gadishull për t’i dhënë fund zyrtarisht Luftës së Koreve 1950-1953 si dhe një seri çështjesh të karakterit ekonomik dhe social.

Si do të zhvillohet takimi?

Moon do të takohet personalisht me Kim në kufi, tha zëdhënësi i presidentit të Koresë së Jugut, Im Jong-seok për gazetarët të enjten.

Rojet e nderit të Koresë së Jugut do t’i shoqërojnë liderët në një ceremoni mirëseardhjeje në një shesh në Panmunjom, një kompleks ushtarak në zonën e çmilitarizuar midis dy vendeve.

Bisedimet zyrtare midis z. Moon dhe z. Kim do të fillojnë në orën 10:30 me orën lokale (01:30 GMT) në Shtëpinë e Paqes në Panmunjom.

Të dy do të bëjnë një pushim pas sesionit të parë dhe do të hanë drekë veçmas, me delegacionin nga Veriu që do të kalojë në anën e vet të kufirit.

Në një ceremoni pasdite, z. Moon dhe z. Kim do të mbjellin një penë pishe duke përdorur dheun dhe ujin nga të dy vendet, simbol i paqes dhe prosperitetit. Pas mbjelljes së pemëve, ata do të ecin bashkë në Panmunjom para se të fillojnë raudin tjetër të bisedimeve.

Samiti do të përfundojë me liderët që do të nënshkruajnë një marrëveshje dhe do të japin një deklaratë të përbashkët. Z. Kim do të shoqërohet nga nëntë zyrtarë, përfshirë motrën e tij, Kim Yo-jong, e cila drejtoi delegacionin zyrtar të Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore dhe po ashtu, edhe liderin e shtetit, Kim Yong-nam.

Delegacioni i Koresë së Jugut do të përbëhet nga 7 zyrtarë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, të Çështjeve të Jashtme dhe të Bashkimit.