Arsim & Kulturë

Takim me poetin Jeton Kelmendi

Në Kolegjin AAB, filluan takimet e përmuajshme letrare, në të cilat do të recitohen poezi dhe pjesë poetike nga poetët e shqiptarë. Ndaj, në këto mjedise dhe një ambient poetik, me mysafirë dhe dashamirës të letërsisë, është mbajtur takim i parë me poetin Jeton Kelmendi, autor i disa përmbledhjeve poetike dhe profesor në Kolegjin AAB.

Gjatë këtij takimi, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se Jeton Kelmendi vjen prej një ambienti shumë poetik, nga Rugova, prej nga vinë edhe shumë artistë e shkrimtarë të njohur në krye me dajën e tij, poetin Azem Shkreli. “Letërsia e Jetonit, arti i tij ka shpërthyer kudo në botë. Jetoni sot është njëri ndër poetët më të njohur dhe më të përkthyer të letërsisë shqipe. Bukurinë e artit të tij sot e shijojnë shumë lexues anë e kënd botës”.

Gjithashtu, rektori Tafa, lexoi poezinë “VETËM ORA JOTE ECË”, kushtuar poetit Kelmendi. Ndërsa, Smail Smaka, tha se ndonëse me moshë të re – sot i mbush 40 vite jete, Jeton Kemendi është nder poetët e shkrimtarët më të përkthyer e më të afirmuar të letërsisë kosovare e përgjithësisht shqiptare, duke qenë pjesëmarrës i shumë manifestimeve letrare e i antologjive poetike gjithandej nëpër botë. “Kelmendi paraqet një urë lidhëse, një tranzicion dhe kapërcim të suksesshëm artistik mes poezisë tradicionale shqiptare drejt verbit modern, duke krijuar një individualitet të mvetësishëm poetik.

Duke qenë kështu prezent në rrjedhat letrare në vendet e gjuhët e Evropës e të botës, Jeton Kelmendi i kontribuon afirmimit, jo vetëm të krijimtarisë së vet, por përgjithësisht të letërsisë shqiptare”, tha ai. Poeti Jeton Kelmendi, në fjalën e tij tha: “Është një ditë e veçantë për mua sepse sot kam ditëlindjen, por kjo nuk është më e rëndësishmja ngase për mua është e veçantë për faktin se për herë të parë më nderojnë njerëzit e mi, pra rektori i Kolegjit AAB dhe stafi i tij. Unë jam mësuar me nderimet që mi bëjnë në vende të ndryshme por kësaj here po kam një ndjenjë më të mirë”.

Në këtë takim u lexuan këto poezi të poetit Kelmendit; “DASHURI NË KOHË LUFTE”, “KAM ECUR RRUGËS SË TË TJERËVE”, “DASHURIA KA DY JETË”, “KUR SHKON NË SARAJEVË”, e të cilat u lexuan nga studentët e Kolegjit AAB Tringa Hyseni dhe Valentin Krasniqi, ndërsa Urim Maliqi, ka interpretuar me kitarë.

Jeton Kelmendi, poet, dramaturg përkthyes letrar analist politik, profesor universitar, akademik dhe publicist, lindi më 1978 në Pejë. Zotëri Kelmendi, deri më tani ka botuar mbi 10 përmbledhje me poezi, është fitues i mirënjohjeve e i çmimeve kombëtare nder të cilat i Mitingut të Poezisë Din Mehmeti, në Gjakovë. Është laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare: Doctor Honoris causa i Institutit të Studimeve të Larta të Akademisë së Shkencave të Ukrainës, i Çmimit francez Solenzara, çmimit Naji Namad në Sudan, çmimit Aleksandri i Madh në Greqi, çmimit Ludëig Nobel në Udmurtu, çmimit Nikolaj Gogol Triumf në Ukrainë etj. Është anëtar i Akademisë së Shkencave Arteve dhe Letërsisë Evropiane me seli në Francë, anëtar i PEN klubit mbretëror të Belgjikës, Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Studimeve të Larta të Ukrainës, anëtar i Akademisë se Shkencave e të Arteve të Evropes, me seli në Salsburg/ etj.

the authorBurbuqe Metolli