Aktuale

Të dielën votohet në Podujevë e Mitrovicën Veriore, PZAP tregon çfarë shkelje po bëjnë partitë në fushatë

Të dielën do të zhvillohen zgjedhjet lokale në dy komuna të vendit , atë të Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka lënë partive 1 javë afat për të kryer fushatën, teksa zgjedhjet do të mbahen në fundjavë.

Votimet për Podujevë mbahen, pasi kryetari i kësaj komune Agim Veliu u emërua në postin e ministrit të Brendshëm të qeverisë së Kosovës. Ato ishin parashikuar të mbahen më 15 mars, por për shkak të pandemisë me koronavirus u shtynë për 29 nëntor.

Në bazë të kësaj, Komisioni Qendrorë i Zgjedhje ka hapur edhe zyratisht kohën për fushatë zgjedhore në të dyja komunat, fushatë kjo e cila do të zgjasë deri më 27 nëntor.

E në këto ditë që po mbahet fushata zgjedhore për zgjedhje të parakohshme në këto komuna, nga Paneli Zgjedhorë i Ankesave dhe Parshtesave kanë bërë me dije për FaktePlus se ende nuk kanë pranuar ndonjë ankesë nga partitë.

Mulë Desku, kryesues i sekretariatit te PZAP-it, ka thënë se nuk kanë pasur ankesa dhe as gjoba të shqiptuara.

“Deri me tani nuk është paraqitur asnjë ankese/apel nga asnjë subjekt politik për shkeljet eventuale gjate fushatës për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunave Podujeve dhe Mitrovice e Veriut, qe do te thotë se pasi qe nuk ka pasur ankesa nuk ka shqiptuar as gjoba”, ka thënë Desku

Kandidatët e certifikuar më herët nga KQZ-ja për kryetar të Podujevës janë Naim Fetahu (PDK); Nexhmi Rudari (LDK) dhe Shpejtim Bulliqi (LVV).

Pozitës së të parit të komunës së Mitrovicës Veriore do t’ia mësyjnë, Milan Radojevic nga Lista Serbe, Florent Azemi nga PDK, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Dushan Milunoviq si kandidat i pavarur.

Ndryshe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar udhëzimin për masat mbrojtëse për parandalimin e infektimit me COVID-19 për votuesit dhe stafin zgjedhor në zgjedhjet e jashtëzakonshme me 29 nëntor në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.

Qëllimi i këtij udhëzimi është përcaktimi i masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19 për votuesit dhe stafin zgjedhor në hapësirat ku mbahen zgjedhjet; përcaktimi i masave mbrojtëse gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotime; dhe përcaktimi i masave mbrojtëse gjatë dorëzimit dhe pranimit të materialit zgjedhor./FaktePlus