Aktuale

Të diskriminuara edhe në punësim

Shumica e grave të reja në Kosovë përballen me një vendim të vështirë: të bëhen nëna apo të punësohen.Punëdhënësit mendojnë se dyja bashkë nuk shkojnë. Ato diskriminohen qysh në intervistë për shkak të gjinisë dhe statusit martesor.

Shumica prej tyre përjetojnë së paku një herë në jetë dhunë në familje, sikurse edhe u mohohet e drejta e trashëgimisë në shoqërinë ku fjala e burrit është urdhër që nuk diskutohet, por vetëm duhet të zbatohet, ani pse Kosova u ofron qytetareve të veta mbrojtje ligjore në letër në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian, ku aspiron të anëtarësohet.

Në praktikë, fjala e kanunit e stigmatizimet janë larg më të fuqishme se të drejtat elementare universale, që Kosova i ka pranuar edhe njëanshëm për t’i dëshmuar botës se shteti më i ri evropian meriton të njihet botërisht si republikë e qytetarëve me të drejta të barabarta.

Shoqëria e forcës së kanunit nuk ua lejon grave të bëhen të zonja të vetvetes, që rrjedhimisht ta ndihmojnë edhe mirëqenien e familjes dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, që burim kryesor të buxhetit ka të hyrat doganore.(Koha Ditore)