Sport

“Të largohen rregullat e Fair Play Financiar, askush nuk i respekton”

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se UEFA duhet të konsiderojë largimin e rregullave të Fair Play Financiar (FFP), pasi sipas tij, ekipet nuk po i respektojnë ato.

“Mendoj se duhet të merret parasysh ideja që këto rregulla të largohen, për momentin rregullat e FFP nuk janë aq të fuqishme sa të respektohen. Nuk po funksionon, pasi ekipet nuk po i respektojnë ato”, ka theksuar Wenger.

PSG kanë thyer rekordin botëror të transferimit të një futbollisti, duke paguar 222 milionë euro për të transferuar Neymar nga Barcelona, këtë verë, dhe ka arritur marrëveshje me Monaco për transferimin e Kylian Mbappe në merkaton e ardhshme, për 183 milionë euro, raporton KosovaPress.

Për këtë transferim, UEFA ka hapur hetimet ndaj PSG, ndërsa presidenti i La Ligës spanjolle, Javier Tebas, i ka kritikuar PSG-në dhe Manchester City-n për ‘doping financiar’, duke thënë se po bëjnë shaka me sistemin dhe rregullat e FFP-së.

Rregullat e FFP, janë krijuar në 2013 nga UEFA, duke kërkuar nga ekipet që të nivelizojnë shpenzimet e tyre me të ardhurat. /KosovaPress/