Opinione

Të ndershmit dhe të pandershmit

Lulzim Tafa

Se çka është nderi ç’kuptim ka dhe si përkufizohet, mund ta kuptojmë në mënyra të ndryshme. Ka  edhe ndonjë shkencë apo disiplinë shkencore që e tregon këtë, mund të gjendet edhe në fjalorë të ndryshëm në gjuhën tonë apo edhe të huaj, pastaj mund ta lexojmë edhe ndonjë enciklopedi, mund ta lexojmë edhe në ndonjë libër dhe të ndonjë autor, në ndonjë artikull, tregim letrar, punim  shkencor apo edhe rrëfim të pashkruar gojor, po ashtu edhe nga ndonjë eksperiencë jetësore e njerëzve dhe e fateve të tyre.

Është normale që definicionet për nderin edhe mund të ndryshojnë, madje ato krejt natyrshëm  evoluojnë, p.sh çka ka qenë  e ndershme dikur, sot mund të mos jetë, apo çka është sot dikur mund të mos ketë qenë. Rrjedhimisht  pra, mund të themi se çka është nderi, nuk ka ndonjë përkufizim të saktë dhe të ngurtësuar. Pra, këtu nuk ka siguri, siguri ka vetëm në atë se nderi ekziston, madje pa asnjë pikëpyetje edhe te ne, në mesin tonë.

Rrjedhimisht nocioni i nderit prodhon një nocion të ri, ndershmërinë. Të  gjitha ato që i thamë për nderin, pra vlejnë edhe për ndershmërinë, veç se tani ndershmëria na futë në një konfuzion edhe më të madh.

Çka a është ajo, a banon ajo këtu, a kemi ne njerëz të ndershëm, nëse nuk kemi te tillë, kjo do të thotë se nuk kemi as ndershmëri, nëse po, atëherë kemi edhe ndershmëri.

Po kush është i ndershmi e kush i pandershmi te ne. Kush  është i tillë e kush i atillë. Kush  është plotësisht i tillë dhe plotësisht i atillë. Kush  është pjesërisht i tillë apo i atillë? Këto  janë pyetjet e thjeshta për ndershmërinë, por pyetja më e vështirë, së cilës është më së vështiri t’i përgjigjemi, mendoj se  është;  kush është ‘’i ndershmi i pandershëm’’, e kush ‘’i pandershmi i ndershëm’’? A   kemi të tillë, apo të tillë kemi shumë, apo aq shumë sa që s’ka më busulle që na orienton.

Po cila është lidhja mes të ndershmes dhe të pandershmes? A kanë ato lidhje me njëra-tjetrën, a kanë miqësi apo armiqësi, janë në luftë të përhershme, apo i kanë dhënë paqen njëra tjetrës? Unë mendoj se Jo. Kjo është përgjigjja ime. E ndershmja dhe e pandershmja dallojnë njëra me tjetrën. E pandershmja dëshiron që ta mbajë sa ma afër të ndershmen dhe shpesh ta fus në gjirin e vet. 

Konfuzionin ma shkakton më shumë e ndershmja me pozicionin e heshtjes, sepse kur e ndershmja mban pozicionin e heshtjes, ajo gati sa nuk merr edhe vetë të njëjtin pozicion me të pandershmen. Të pandershmit po punojnë shumë që të ndershmen të mbajnë pranë vetës, ndërsa në anën tjetër e ndershmja s’po bënë asgjë kundër të pandershmes. Nuk po distancohet prej saj, në mënyrë që ta largojë nga vetja.

Pra kemi një lojë të pandershme të të pandershmes ndaj të ndershmes. E pandershmja ndaj të ndershmes shpif shumë. E pamoralshmja  i thotë të ndershmes pa morale, një spiun e quan një të ndershëm spiun, një i korruptuar e shpallë një të ndershëm të korruptuar, thjesht, një i ligë e quan një të ndershëm të ligë. Kjo bëhet gojë më gojë, me media, me letra anonime,(letra anonime është mjet i pandershëm),  pra me mjete të pandershme. Kjo nuk bëhet rastësisht, sepse kjo ka një burim, një qendër dhe nganjëherë më duket një komandë. Kur e pa ndershmja sulet kaq pamëshirshme ndaj të ndershmes, ideja është që të krijohet përshtypja se të gjithë janë të pandershëm.  

Kuptohet që kjo nuk daton nga sot. Kjo është shfaqur shumë më herët, kur njerëzit janë etiketuar padrejtësisht: Profesorë, mjekë, shkrimtarë, biznesmenë, prijës fetarë apo njerëz të tjerë të pa profesion, por të ndershëm.

Kam përshtypjen se te ne e ndershmja dhe e pandershmja janë përzier diku në këtë mjegullnajë të madhe dhe s’po arrijmë dot të bëjmë identifikimin e tyre. Sikur na ka humb rruga në oborr. Vështirë  e kemi, për zotin, e më së vështiri e ka i ndershmi  sepse i ndershmi në mesin e të pandershmeve është “i pandershmi më i madh”. E pat thënë dikush, sa do që të pandershmit shtiren se e kanë mik të ndershmin, kjo është një miqësi me hile. Të dyja këto anë më befasojnë shumë, forca e të pandershmeve dhe pafuqia e të ndershmeve, ndonëse të ndershmit janë shumicë, ju garantoj unë, se shumë më shumë kemi njerëz të ndershëm, por, të mundur dhe të lodhur nga sundimi i pakicës. 

Shkurt, kemi  sundim  të pandershmes mbi të ndershmen. Ndoshta, sundimi nga pakica paska qenë edhe fati i shumicës gjithmonë në këto hapësira, sepse njerëz të ndershëm kemi sa të duash, nuk është që s’ka, madje kemi shumë, shumica janë të ndershëm, madje jam i bindur se ideja se nuk ka njerëz të ndershëm te ne, është pikërisht ide e njerëzve të pandershëm. Por, konfuzion ka.  Zoti na ndihmoftë!

the authorSamir Dalipi