Rajon & Botë

Të paktën 40 të vdekur nga djegia e autobusit në Zimbabve

Më shumë se 40 persona kanë vdekur dhe mbi 20 të tjerë janë lënduar nga djegia e një autobusi në pjesën jug-perëndimore të Zimbabvesë. Shumica e të lënduarve kanë pësuar djegie të rënda, siç deklaroi një zëdhënëse e policisë së vendit.
Kryqi i Kuq i Zimbabvesë publikoi disa fotografi, ku shiheshin mbetjet e autobusit të djegur. Fatkeqësia ndodhi në rajonin e Guandas, rreth 550 kilometra në jug të kryeqytetit Harare. Mediat shtetërore thanë se zjarri ka shpërthyer nga një bombolë gazi e cila i përkiste njërit prej udhëtarëve.

Një nga mediat e vendit publikoi pamje të autobusit që ndodhej në një autostradë, afër qytetit Bulauayo, që është qyteti i dytë më i madh i vendit. Javën e kaluar, 47 persona vdiqën në një aksident mes dy autobusëve. Presidenti i vendit, Emmerson Mnangagwa, ka bërë thirrje që siguria në rrugë të shtohet.

Aksidentet e trafikut janë të shpeshta në Zimbabve për shkak të vozitjes së pakujdesshme dhe gjendjes së dobët të rrugëve, shumica e të cilave janë të vjetra. Edhe vitin e kaluar kishte ndodhur një aksident me autobus, ku kishin vdekur 43 persona, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli