Aktuale

Të pezullohet apo të mbahet taksa, dy skenarët e KDI’së

Instituti Demokratik i Kosovës ka prezantuar sot dy skenarë që përfshijnë efektet e tyre pozitive dhe negative në rast të mbajtjes apo pezullimit të taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Në prezantimin e skenarëve u tha se fusha në të cilën taksa ka pasur më së shumti ndikim është procesi i dialogut Kosovë-Serbi

Sipas KDI-së, një efekt pozitiv është tentimi që taksa të parandalojë skenarët negativë për Kosovën në kuadër të procesit të dialogut, të cilët mund të manifestohen nëpërmjet marrëveshjeve të caktuara që nuk janë në favor të Kosovës.

Eugen Cakolli nga KDI, tha se mbajtja e taksës 100% shpërfaqi marrëdhëniet reale midis Kosovës dhe Serbisë, dhe faktin sa larg janë palët nga normalizimi.

Si efekt negativ e përmendi kushtëzimin e Serbisë për të vazhduar me dialogun dhe rrjedhimisht fuqizimin e pozitës së saj në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Cakolli tha se në lidhje me raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, si faktor pozitiv u evidentua të jetë rritja e nivelit të përfshirjes së SHBA-së në procesin e dialogut, ndërsa si efekt negativ u lëkundja e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës, e cila është manifestuar nëpërmjet masave dhe veprimeve të ndryshme ndëshkuese.

“Fusha në të cilën taksa ka pasur më së shumti impakt, kemi vlerësuar që është procesi i dialogut Kosovë-Serbi. Dhe në rastin kur taksa 100% nuk pezullohet kemi vlerësuar se efekti kryesor pozitiv në raport me procesin e dialogut është reflektimi i marrëdhënieve reale mes Kosovës dhe Serbisë, pozitës së Kosovës në këtë proces dhe mungesës së vetë procesit të normalizimit që ka filluar që nga viti 2013. Efekt tjetër mjaft pozitiv është edhe tentimi që taksa të parandalojë skenarët negativë për Kosovën në kuadër të procesit të dialogut, të cilët mund të manifestohen nëpërmjet marrëveshjeve të caktuara të cilat janë të disfavorshme për Kosovën”, tha ai.

Jeta Krasniqi nga KDI tha se efekti kryesor pozitiv i pezullimit të taksës do të ishte vazhdimi i dialogut dhe forcimi i pozitës negociuese në raport me Serbinë. Ndërsa, efekt negativ do të ishte vazhdimi i dialogut pa një qëndrim unik të spektrit politik në Kosovë, si dhe rreziku i arritjes së një marrëveshje që mund të paraqesë kompromis të pafavorshëm për Kosovën.

“Sa do të mund të shtyhen këto skenarë negativë, sa do të mund Kosova, në kuadër të procesit të dialogut, të arrijë një marrëveshje që është në favor të saj, kjo ndërlidhet edhe me unitetin tash të munguar brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, pra unitetin e munguar të spektrit politik dhe fuqisë së Kosovës për të lobuar mbi atë çfarë ajo kërkon në kuadër të këtij procesi”, tha ajo.

Krasniqi tha se në planin e jashtëm, pezullimi i taksës do të përmirësojë raportet në mes të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, kurse si efekt negativ u vlerësua presioni që partnerët ndërkombëtarë do të mund të ushtronin për arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi brenda një afati kohor artificial, duke mos i kushtuar vëmendje përmbajtjes së marrëveshjes përfundimtare

“Nëse taksa vazhdon, ne kemi thënë që forcohet edhe vetë pozita e Kosovës në këto negociata, po shihet që është duke reflektuar edhe vetë normalizimi i marrëdhënieve. Pra, si është normalizimi i marrëdhënieve, që nuk kanë arritur deri në fund t’i normalizojnë marrëdhëniet ashtu siç është pritur. Deri ku mund të evitojë ato skenarët negativë mbetet të shihet, meqë ky është proces i nivelit shumë të lartë politik ku nuk është e përfshirë vetëm Kosova dhe Serbia, por kemi të përfshirë edhe aleatë ndërkombëtarë, SHBA, Bashkimi Evropian, por është më se e qartë që me këtë është bërë e qartë që Kosova nuk është e gatshme të pranojë çfarëdo lloj skenari, dhe nuk është e gatshme të bëjë çfarëdo lloj kompromisi”, tha ai.

Në KDI thonë se kjo analizë tenton t’i japë publikut një pasqyrë më të gjerë të efekteve që “pezullimi” apo “mbajtja” e taksës do të prodhonte në disa dimensione, së pari në vetë procesin e dialogut, pastaj në marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, në zhvillimet e brendshme politike në vend, në ekonomi dhe përfundimisht në perceptimin qytetar.

Sipas KDI-së, këta skenarë janë realizuar duke marrë parasysh faktin që deri më tani, përkundër qëndrimeve dhe diskursit politik aktual, janë dhënë pak argumente mbi përparësitë dhe mangësitë e opsionit të mbajtjes së taksës prej 100%, dhe opsionit për pezullimin e saj.

the authorBurbuqe Metolli