Aktuale

Të shtëna në ahengje, Policia konfiskon katër armë

Brenda dy ditëve të vikendit në katër raste të ndara, njësitë policore në Mitrovicë dhe Skenderaj, kanë konfiskuar katër armë, si dhe kanë arrestuar katër persona.

Mbi bazën e informacioneve të pranuara për të shtëna në ahengje, njësitë policore kanë reaguar në katër raste të ndara, dy në zonën e Mitrovicës dhe dy të tjera në zonën e Skenderajt.

Sipas Policisë, në të gjitha rastet policia fillimisht ka identifikuar lokacionet nga ku dyshohej për të shtëna, me ç’ rast në të katër intervenimet janë gjetur dhe konfiskuar katër armë, tri pistoleta dhe një armë tytëgjatë.

“Nën dyshimin për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës janë arrestuar katër persona të dyshuar, të cilët pas procedurave intervistuese janë liruar për procedurë të rregullt. Ndaj tyre është iniciuar procedurë për vepër penale ’shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’, thuhet në njoftimin e Policisë./KosovaPress/