Arsim & Kulturë

Të shtunën në AAB do të mbahet Konferenca e Dytë Shkencore Ndërkombëtare Online

“Evropianizimi, orientimi perëndimor dhe formimi i identitetit në shtetet e Ballkanit Perëndimor” është titulli i Konferencës së Dytë Shkencore Ndërkombëtare që do të zhvillohet në Kolegjin AAB, në formatin online.

Në këtë konferencë, do të marrin pjesë mbi 100 pjesëmarrës, të cilët të ndarë në 11 panele të veçanta do të prezantojnë punën e tyre kërkimore në 75 punime të cilët janë aprovuar nga Komiteti Shkencor i konferencës.

Partnerë organizativë të konferencës janë universitete e institucione të rëndësishme arsimore e kërkimore, si Universiteti i Bolonjës i cili është universiteti më i vjetër në Evropë, Universiteti Pedagogjik i Krakovës-Poloni, CEUTTSS (Center for European Union, Transatlantic and Trans-European Space Studies), Universiteti Aleksandër Moisiu nga Shqipëria, Universiteti Shën Kliment Ohridski nga Maqedonia e Veriut, IBCM (International Business College – Mitrovica), Instituti Shqiptar i Sociologjisë, etj..

Në konferencë synohet që të shqyrtohen çështjet e evropianizimit, orientimit perëndimor dhe ndërtimit të identitetit nga një perspektivë e gjerë e cila përfshinë njohuritë shkencore të studiuesve nga fusha të ndryshme akademike dhe shkencore. Në këtë aspekt i rëndësishëm do të jetë edhe roli i folësve kryesorë, që do të marrin pjesë në sesion plenar, e që vijnë nga universitete prestigjioze në botë, si: Prof.dr. Raymond Detrez, Ghent University nga Belgjika, Prof.dr. Pal Kolsto, University of Oslo nga Norvegjia, Prof.dr. Ines Aquile Junyent, Catalonia University nga Spanja, e Prof.assoc.dr. Besnik Pula, Virginia Tech, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të gjithë punimet pjesëmarrëse të konferencës do të përfshihen në Librin e abstrakteve (Book of Abstracts) ndërsa punimet më të mira do të përzgjidhen dhe do të botohen në një numër të veçantë të Revistës Ndërkombëtare Shkencore të Kolegjit AAB “Thesis”.