Aktuale

Tensione në gjyqin ndaj imamëve, Fadil Muslimani: Këtu komandon MOSSAD-i

Gjyqi i rradhës i imamëve të vetëshpallur, të cilët akuzohen për terrorizëm është shoqëruar me tensione në sallë. Tensionet janë rritur kur të pandehurit kanë shpërthyer në akuza ndaj gjykatës së Krimeve të Rënda.

Fadil Muslimani, imami i vetëshpallur ka thënë në sallën e gjyqit se zullumqarët do qeshin pak, por do qajnë shumë duke u shprehur se ne gjykatë komandon MOSSAD-i, shërbimi sekret izraelit, shkruan “Balkanweb”.

“Me lejen e Allahut pas vështirësive vjen lehtësimi”- u shpreh i pandehuri tjetër Edmond Balla.

Ndërkohë Verdi Morava, që akuzohet si financues i celulës ka hedhur akuza ndaj qeverisë duke thënë se është futur padrejtësisht në “listën e zezë”.

“Qeveria më ka futur në listën e zezë, ndërsa jam konsideruar terrorist pa vendim gjykate. Jam i pafajshëm dhe po më shkelen të drejtat e mia”- ka thënë Verdi Morava në sallën e gjyqit.

Seanca ndaj imamëve u zhvillua me dyer të mbyllura dhe nën masa të rrepta sigurie. Në sallë ishin pjesëmarrës përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, si dhe mbështetës të Imamëve të akuzuar.

9 imamët e vetëshpallur akuzohen për terrorizëm e rekrutim luftëtarësh. Gjykata e Apelit pritet të vendosë sot nëse do lerë në fuqi vendimet e Shkallës së Parë, apo do pranojë kërkesat e tyre për pafajësi.