Aktuale

Tentuan të korruptonin me 5 mijë lekëshe policët rrugorë, edhe dy të tjerë në pranga

Arrestohen në flagrancë dy drejtues mjeti, pasi për të shmangur masën administrative dhe kontrollin e dokumentacionit, u ofruan ryshfet punonjësve të policisë rrugore.

Nga Specialistët e Seksionit kundër Korrupsionit në DVP-Korçë, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Sulejman Cycllari, 54 vjeç, banues në fshatin Porodinë dhe Ardian Ravolli, 47 vjeç, banues në fshatin Barç, Korçë.

Në aksin rrugor Korçë-Bilisht, shtetasi Sulejman Cycllari duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Mercedes-Benz” me targa KO 2091 B, është ndaluar nga punonjësit e Policisë Rrugore, për mospërdorim të sinjalizimit pamor. Ky shtetas i ka ofruar 500 lekë këtyre të fundit, për të shmangur ndëshkimin me masë administrative për shkeljen e bërë.

Ndërsa, shtetasi Ardian Ravolli, në hyrje të qytetit të Pogradecit, pranë vendit të quajtur “Enkelana”, duke udhëtuar me automjetin tip“Mercedes-Benz”, me targë KO 9649 B, i ka ofruar 500 lekë punonjësve të policisë, për të shmangur kontrollin e dokumentacionit.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprën penale: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga  neni 244 i Kodit Penal.