Aktuale

Tërnava uron Bajramin e Madh, bën thirrje për më shumë solidaritet

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava në emër të tij dhe të Bashkësisë Islame në Kosovë (BIK) ka dhënë mesazhin me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe festës së Fitër Bajramit.

Tërnava ka thënë se Festa e Fitër Bajrami është një arenë ku shkrihen pozitat, ku takohen të gjithë me fitoren e përbashkët për të mirën e përgjithshme.

Myftiu Tërnava ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë.
“Nesër është dita e parë e festës së Fitër Bajramit e cila festë vjen pas një muaji sakrifice ndaj Zotit, ku kultivuam shpirtmadhësinë, tolerancën, vëllazërinë, paqen, solidaritetin vlera këto të cilat kanë rol të pazëvendësueshëm për shoqërinë tonë, ngase janë parime të mëdha që feja islame i përqon në mbarë njerëzimin.Festa e Fitër Bajramit është një arenë ku shkrihen pozitat, arenë ku takohen të gjitha me fitoren e përbashkët për të mirën e përgjithshme. Festa e Fitër Bajramit troket në zemrën dhe shpirtin e besimtarit, troket në vatrat tona familjare, menjëherë pas muajit të madhërishëm të Ramazanit, peridhës së shenjtë gjatë së cilës myslimanët anembanë botës kanë agjëruar dhe sakrifikuar duke u përpjekur të ripërtërijnë vlerat më të mira shpirtërore dhe njerëzorë. Nesër kemi rastin më të gëzuar për të festuar ditën kur myslimanët gëzohen dhe shijojnë të mirat e kësaj dite, ngase kanë kryer edhe një obligim madhor të fesë sonë islame, e që radhitet në mesin e pesë shtyllave të islamit.Edhe në këtë ditë feste e kemi obligim që t’i thërrasim ndërgjegjes për kategoritë sociale, jetimët e skamnorët, që të kujdesemi për ta”, tha Tërnava.

Tutje ai shtoi se kjo ditë është e ditë e unitetit, prandaj duhet të shfaqim unitetin me familjen dhe njerëzit e shoqërisë sonë.

“Kjo ditë është kur Zoti fal njerëzit e tjerë, prandaj edhe ju besimtarë të devotshëm, falni ata që iu kanë ofenduar, ata që kanë shpikur e kanë folur keq për ju, falni zënkat dhe mosmarrëveshjet mes jush, mos harroni se All-ah’u është me ata që falin, kur ju falni tregoni mëshirën e Zotit që është brenda jush dhe bëheni shkak që Zoti t’iu falë juve në ditën e gjykimit. Zoti nuk ka nevojë për vlerësimin tonë, ai është krijues i çdo gjëje, i pafillim dhe pa mbarim, ndryshe nga krijesat e tij, jemi ne ata që kemi nevojë të përmirësojmë veten tonë, duke lidhur zemrat tona me përmendjen e tij si dhe duke përfituar nga shprehja e mirënjohjes së tij.Në prag të kësaj feste, në këtë ditë të rëndësishme për paqen dhe vlerat universale, në këtë ditë të madhërishme ftoj për unitet edhe më të fortë mes nesh, për një unitet edhe më të madh politik kur është në pyetje ardhmëria e vendit tonë, për solidaritet më të madh, për mirëkuptim më të madh. Virtyte këto të çmuara dhe fesë e kombit tonë dhe si të tilla sigurojnë të ardhmen e popullit e gjeneratave që vijnë pas nesh”, tha tutje Tërnava.

Në fund myftiu i Kosovës në emër të Bashkësisë Islame uroj të gjithë me përgëzimet më të mira për të gjithë besimtarëve të besimit islam kudo në Kosovë e jashtë trojeve tona si dhe mërgatës kudo që ata jetojnë, duke e lutur Zotin që të ketë pranuar agjërimin dhe të gjitha fisnikëritë e tjera.

“Urime Festa e Fitër Bajramit”.

the authorBurbuqe Metolli