Aktuale

Thaçi: Gjenocidi në Srebrenicë na trondit edhe sot

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka treguar se është i tronditur që ende pas 21 viteve në Srebrenicë çdo vit ende varrosen trupa të personave që u vranë e u zhduken në masakrën më të madhe të luftës në Bosnje. 

Thaçi, duke përkujtuar këtë masakër, tha se Srebrenica tregon se sa të rrezikshme janë orientimet ekstreme – nacionaliste, shkuan Gazeta Express.

“Më 11 korrik e kujtojmë me dhimbje të thellë gjenocidin e kryer në Srebrenicë. Tmerret e 11, 12 e 13 korrikut të vitit 1995 na tronditin edhe sot. Më e rëndë është për familjarët e viktimave që ende, çdo vit, marrin në arkivole eshtrat e bijve, burrave, vëllezërve dhe etërve të tyre.

Në ditët si kjo duhet të kujtojmë se sa e rëndësishme është të ruajmë dhe të forcojmë paqen në rajonin tonë.

E kaluara dëshmoi se sa të rrezikshme janë ideologjitë ekstreme nacionaliste, ideologjitë që përjashtojnë të tjerët, për shkak të përkatësisë etnike, fetare apo të atyre që i takojnë çfarëdo komuniteti tjetër”, ka shkruar Hashim Thaçi në facebook.

Ndryshe, 21 vite pas, të hënën, në Qendrën Memoriale Potoçari në Bosnje janë varrosur 127 viktima të identifikuara të gjenocidit në Srebrenicë. Në mesin e tyre pati edhe 12 trupa te të të miturve. /GazetaExpress/.