Aktuale

Thaçi nderon serbët e vrarë të Hoçës së Madhe

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vuri lule sot në memorialin përkujtimor në fshatin Hoçë e Madhe e ngritur për 84 serbët e vrarë gjatë viteve 1998-2000.

Vizitën në Hoçën e banuar etnikisht me serbë Thaçi e ka bërë së bashku me  kryetarin e  Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Prenk Gjetaj.

Nga këtu ai ka kërkuar që të punohet për të vërtetën dhe për pajtim.

“Sapo vumë lule në këtë përkujtimore për 84 qytetarë serbë të Kosovës për të përkujtuar viktimat, pa dallim nacionaliteti. Jemi këtu për të kërkuar të vërtetën dhe për të kërkuar pajtim ”, u shpreh presidenti Thaçi thuhet në një komunikatë për media lëshuar nga Presidenca e Kosovës.

Ai ka shtuar se për të vërtetën kërkohet sakrificë. “Për pajtim, secili prej nesh duhet ngritur mbi vetveten”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se kjo duhet të bëhet në emër dhe në shërbim të së ardhmes demokratike të Kosovës.

Presidenti Thaçi, gjithashtu kërkoi që sa më parë të zbardhet fati i të pagjeturve, që të ngadhënjejë drejtësia dhe të ndodhë pajtimi.

“Kosova nuk duhet të mbetet peng i të kaluarës, por duhet të ndërtojmë të ardhmen evropiane të Kosovës”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi, gjithashtu shtoi se nga takimet që ka pasur me familjarët e të pagjeturve të të gjitha komuniteteve, është optimist për pajtimin në Kosovë.

“Gjatë takimeve që kam pasur me familjarë të të pagjeturve, kam mësuar një të vërtetë të dhimbshme, por edhe optimiste për të ardhmen e Kosovës. Familjarët e të pagjeturve më kanë treguar se dhimbja i ka bashkuar dhe tani janë një familje që ndan dhimbjen por edhe dëshirën për pajtim”, ka theksuar Thaçi.

Sipas tij, familjarët e të pagjeturve janë shembull edhe për të tjerët, se duhet të bashkëpunojmë me njëri tjetrin për të ndërtuar ura të dialogut dhe bashkëpunimit.

Thaçi përveç në Hoçë të Madhe ka vënë lule edhe në memorialin në Suharekë që është ngritur për shqiptarët të cilët janë vrarë nga policia dhe ushtria serbe.

the authorSamir Dalipi