Aktuale

Thaçi: Nuk mund të ketë të ardhme duke mbetur peng i së kaluarës

Shoqëria nuk mund të ndërtojë të ardhme të mirë, nëse mbetet peng i së kaluarës. Qëllimi i komisionit për të Vërteten dhe Pajtimin, është nisja e një jete te re për të gjithë qytetarët, duke falur por duke mos harruar. E kjo nuk do ta sakrifikonte drejtësinë, por do ta ndihmonte atë.

Kështu tha presidenti i vendit Hashim Thaçi, në takimin konsultativ për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, ku të pranishëm ishin zyrtarë të lartë shtetërorë, klerikë fetarë, diplomatë, bartës të institucioneve të drejtësisë dhe shoqërisë civile.

Presidentit Thaçi, tha se është e  dhimbshme që sot, edhe gjeneratat që kanë lindur pas lufte, e shikojnë palën tjetër, i shikojnë moshatarët e komunitetit tjetër, si armiq dhe si rrezik.

 

“Ju kam ftuar sot këtu që të prezantoj idenë time,  për këtë themel mbi të cilin do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Që të themi të vërtetën dhe të pajtohemi për të kaluarën tonë. E mbi këtë të vërtetë dhe pajtim, pastaj të ndërtojmë të ardhmen tonë. Unë vetë kam qenë në luftë dhe kam pa dhe përjetuar tmerret e luftës. Kam pa shkatërrimet e luftës, urrejtjen që shkakton lufta. Dhe në luftë kam ndërtuar bindjen që të angazhohem që të mos lejoj që ato tmerre të përsëriten më për askënd”, tha ai.

Ndërsa tha se kjo nuk e sakrifikon drejtësinë, por e ndihmon atë.  Ky  komision, sipas tij  nuk do të jetë zëvendësim i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por do të jetë ndihmues për arritjen e marrëveshjeve të reja për pajtim ndërshtetëror.

 

“Pajtimi i parë dhe më i shpejt shqiptaro-serb ka ndodhur mes familjareve të të pagjeturve. Duke e kuptuar vuajtjen e njëri-tjetrit janë bërë gati si një familje që punon për një qëllim të përbashkët, të mbyllin kapitullin e familjarëve të tyre të pagjetur. Ata janë shembulli më i mirë për të gjithë ne të tjerët sesi duhet të kthejmë sytë kah një e ardhme duke e mbyllur kapitullin e së kaluarës. E vërteta pastron dhe çliron njerëzit, ndihmon, lehtëson dhe çon drejt pajtimit kombe e shtete. E vërteta shëron shoqëritë nga hakmarrja dhe urrejtja. Qëllimi është nisja e një jete të re për të gjithë qytetarët, duke falur, por duke mos harruar, duke pranuar dhe njohur krimet, duke shprehur dhe deklaruar brejtje ndaj së keqes. Kjo nuk do ta sakrifikonte drejtësinë, por do ta ndihmojë. Pranimi i së vërtetës është thelbëso r, për drejtësinë . Kjo nuk nënkupton shlyerjen e krimit, pastrim nga e keqja, apo dikush të fshihet pas padijes, gënjeshtrës, heshtjes apo fshehjes së krimit. E vërteta duhet të dihet sado e hidhur apo e shëmtuar të jetë’, tha ai.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka dhënë mbështetje iniciativës së presidentit Hashim Thaçi për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim.

Ai tha se institucionet e Kosovës,  po dëshmojnë se kanë vullnet të ndriçojnë të kaluarën, të ballafaqohen me të vërtetat e saj dhe të ndihmojnë në shërimin e plagëve që ka lënë pas ajo.

 

“Janë mijëra viktima të pafajshme, ndërsa drejtësia për to ende nuk është vendosur. Janë me dhjetëra masakra, të kryera gjatë luftës, edhe 18 vite pas luftës edhe pse ka pasur të vrarë që nga foshnjet një ditë, e deri në pleq të palëvizshëm,  për turpin tonë askush nuk është dënuar. Fatkeqësisht deri më sot nuk kemi të marrë as përgjegjësi politike nga shteti serb, për të kërkuar së paku falje.  Një është e qartë që përgjegjësit duhet të marrin përgjegjësinë dhe përgjegjësit të dalin para gjyqit. Ndërsa shoqëria nuk guxon të mbetet peng i një zhvillimi të tillë. Institucionet përgjegjëse duhet t’i japin drejtim kësaj çështje me fakte, në mënyrë që tu japim qytetarëve shans për pajtim dhe për të ardhme. Ndërsa politika duhet të marrë përgjegjësitë e veta që t’i krijojë qytetarëve të këtij vendi jetë më kualitative dhe vendit perspekti vë më të mirë në integrimet euroatlantike.  Duke ngritur këtë komision ne shprehim vullnetin për të ecur para, pa harruar të kaluarën. Por në të njëjtën kohë pa mbetur peng i saj”, tha ai.

Ndërkaq kryeministri i vendit Isa Mustafa, tha se asnjë krim dhe vrasje nga e kaluara, nuk mund ta pengojë të ardhmen e vendit,  nëse  zbulohet dhe ndëshkohet meritueshëm.

 

“Kosova është shtet që nuk ka frikë nga e kaluara dhe ka të drejtë të jete i sigurte për te ardhmen e vet. Për askënd e kaluara e Kosovës, nuk ka qenë aspak e lehtë, por as e ardhmja nuk është pa vështirësi. Por ne të gjithë të barabartë para ligjit dhe me ligjet të cilat sigurojnë  barazi ne mund t’i mënjanojmë muret, të gjitha pengesat dhe te ndërtojmë mure për te gjitha të mirat tona të përbashkëta, që duhet ti realizojmë në të ardhmen… Të gjitha krimet e bëra gjate dhe pas luftës,  ne nuk mund t’i harrojmë, as mos të merremi me to. Çdo krim dhe vrasje e ndëshkuar meritueshëm sot, do të konvertohet pashmangshëm nesër në besim të shtuar për të ardhmen tonë të sigurte. Duke luftuar të keqen e djeshme, jam i bindur që ne do të ndërtojmë të mirën e sotme dhe do të sigurojmë të mirë të ardhshme për gjeneratat që vijnë në Kosovë. Po ashtu duke u ballafaquar guximshëm dhe drejtë me të kaluarën tonë, e fitojmë besimin dhe forcojmë shpresën e gjithë qytetarëve tanë për të ndërtuar një të ardhme të sigurt, për të gjitha komunitetet tona”, tha ai.

E ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Greg Delawie tha se SHBA-të do te mbesin partnerët e Kosovës, përderisa kërkohet drejtësia dhe e vërteta.

 

“Kosova tashmë ka bërë disa hapa të rëndësishëm në rrugëtimin e saj të shërimit nga lufta e tmerrshme që ka shkaktuar gjithë ato familje, që ende kanë shumë dhimbje. Qytetarët me të drejtë ndjehen krenarë me hapat që Qeveria ka ndërmarrë në rrugën e  pajtimit.. Duhet të bëhet më shumë me viktimat.. SHBA-të do te mbesin partnerët tuaj, përderisa kërkohet drejtësia dhe e vërteta dhe përderisa punoni së bashku për pajtim nga e kaluara  e dhimbshme, drejtë një të ardhme me të ndritur të të gjitha komuniteteve kosovare”, tha ai.

Ndërsa përfaqësuesi i shoqatës së të pagjeturve,  Bajram Çerkini, tha se iniciativa e presidentit për të vërtetën, është një guxim i madh.

 

“Iniciativa për të vërtetën z. President është guxim i madh. Ke thanë se është pak vonë. Bajrami thotë është pak herët. Se me 16 gërmohet midis Mitrovicës për të gjinden familjaret që kemi dëshmi. Janë dhe 1654 vetë të pagjetur. Ne familjaret jemi kqyr mes vete pa dallim etnie. Jena ul në Norvegji dhe kemi thënë në qoftëse këqyrim si njerëz me një dhimbje, nëse këqyremi si serb dhe shqiptar ditën e mirë, po kthehemi në shpi. Edhe sot edhe nesër jemi në gjendje me u taku asi soji.  Kjo pjesa politike tjetër është e juaja. Ata nuk e dimë. Të formohet një komision presidenti më ka pëlqy që thotë të kuptohet ashti siç mendohet. Mendimi i presidentit me pri pa kërkua kurrkush falje, pa u afru me thanë çka kemi bërë krime në Kosove. Me dal me thanë do të formojmë një komision për pajtim, nuk e ka thënë për pajtim por të vërtetën. E më vonë me fol dhe për pajtim. Kjo më pëlqen”, tha ai,

Edhe Milorad Trifunoviq, nga Shoqata e të zhdukurve serb,  tha se shoqatat e të zhdukurve serbë dhe shqiptarë,  kanë filluar procesin e pajtimit  shtatë vite më parë dhe se kjo s’ka qenë aspak e lehtë.

 

“Kurrë nuk është vonë për paqe dhe pajtim. Duhet të harrojmë shumë gjëra të hidhura, të cilat na kanë shkatërruar psikikën njerëzore. Duhet të nisemi në fazën e pajtimit dhe së bashku të luftojmë për të vërteten, për kërkim falje por dhe të luftojmë për një jetë më të mirë. Para shtatë viteve ne kemi nisur procesin e pajtimit, ishte jashtëzakonisht e vështirë, mos mendoni që është diçka e lehtë kjo që keni nisur sot. Do të keni aq shumë vështirësi, ne i kemi kaluar këto. Ne vet familjaret e kemi përjetuar në lëkurën tonë,  sa kemi sakrifikuar vetën”, tha ai./S.zogaj