Aktuale

Thaçi prezanton Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin

Presidenti Hashim Thaçi, të hënën ka prezantuar idenë për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, duke thënë se Kosova do të jetë i pari vend në rajon që merr një iniciativë të tillë.

Duke folur pranë të pranishmëve për këtë forum, Thaçi ka thënë se deri në këtë moment ka takuar shumë pjesëtarë të komuniteteve shumicë e pakicë që jetojnë në Kosovë.

“Brezat e rinj duhet ta dinë se çfarë kanë bërë brezat e mëparshëm. Besimi i ndërsjellë duhet fituar, duke u respektuar interesi i palëve. Iniciativa për takimin konsultativ, vjen pas konsultave që kam pasur me liderë të mëdhenj të pajtimit. Kam takuar shumë shqiptarë, serbë, boshnjakë, rom, shkali dhe egjiptianë për të konsoliduar këtë ide dhe këtë koncept”, ka deklaruar Thaçi, transmeton Klan Kosova.

Thaçi ndër të tjerash është shprehur se forumi që ka iniciuar, nuk mund të cilësohet si zëvendësim i gjyqësisë dhe as dialogut, por vetëm do ta ndihmojë procesin e normalizimit të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ky forum un tenton ta zëvendësojë asnjë institucion të drejtësisë. Ky forum s’do të jetë zëvendësim i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, por do të jetë ndihmues i përmirësimit të raportit Kosovë – Serbi. Jemi ndoshta vonë, por jemi të parët në Ballkan që po e bëjmë dhe shpresoj se jemi model për të tjerët”, ka deklaruar Presidenti.