Aktuale

Thaçi: Vrasësit e vëllezërve Bytyçi gjenden në Beograd dhe dekorohen nga shteti serb

Në 20 vjetorin e vrasjes së tre vëllezërve Agron, Ylli dhe Mehmemt Bytyçi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se përgjegjës të këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë në Beograd dhe të dekorohen nga shteti serb.

“U bënë 20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi dhe përgjegjësit e këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë në Beograd, duke udhëhequr institucione dhe duke u dekoruar nga shteti serb”, tha Thaçi, raporton FaktePlus.

Kreu i shtetit të Kosovës ka fajësuar edhe bashkësinë ndërkombëtare për mos ndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë.

“Drejtësia ndërkombëtare ka dështuar në ndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë: të vrasësve të mbi 13 mijë civilëve shqiptarë, ndëshkimin e kriminelëve serbë që dhunuan mbi 20 mijë gra shqiptare, që vranë mbi 1300 fëmijë dhe kryen rreth 400 masakra anekënd Kosovës”, theksoi Thaçi.

Ai shtoi se gjithë kriminelët që i bënë këto krime në Kosovë vazhdojnë të shëtisin të lirë dhe të amnistuar nga drejtësia ndërkombëtare.

“Kriminelët serbë që i kryen këto krime, që bënë spastrim etnik, duke i larguar prej shtëpive të tyre mbi 1 milion shqiptarë, që kryen gjenocid mbi popullsinë e Kosovës, vazhdojnë të sillen lirshëm dhe janë tërësisht të amnistuar nga drejtësia ndërkombëtare. Kosova, qytetarët tanë, kërkojnë drejtësi. Heshtja ndërkombëtare përballë këtyre krimeve nuk është në shërbim të drejtësisë dhe paqes, por në shërbim të kriminelëve”, ka thënë Thaçi. /FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli