Aktuale

Totozani: Buxheti i 2017 të ketë fokus uljen e varfërisë

I ftuar në komisionin e Çështjeve Sociale, ku po diskutohet buxheti i viti 2017, avokati i Popullit, Igli Totozani ka kërkuar që buxheti i ardhshëm të fokusohet tek reduktimi i varfërisë, pabarazisë dhe përjashtimit social.

Po ashtu, Totozani është shprehur se ky buxhet duhet të bazohet në objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.

“Do të doja t’ju thoja se Shqipëria tashmë ka përqafuar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, objektiva këto që duhet të bazohen mbi të drejtat e njeriut.

Me këtë duhet të kuptojmë, që e gjithë puna jonë e përbashkët e institucioneve, e Parlamentit, e Pushtetit Vendor e biznesit, e shoqërisë civile, në të ardhmen do të duhet të ketë për orientim, pikërisht këto objektiva, të cilat synojnë: reduktimin e varfërisë, të pabarazisë dhe të përjashtimit social.

Në këtë kuadër, Buxheti i Shtetit është një instrument i pazëvendësueshëm, kryesor, në realizimin e këtyre objektivave. Ai duhet të jetë shprehje dhe në vitet në vijim e këtij qëllimi të shtetit shqiptar për t’i realizuar ato”, është shprehur Avokati i Popullit.