Aktuale

Trendi i vjedhjes së veturave, Policia kërkon nga qytetarët të kenë kujdes

Policia në Mitrovicë, përmes një njoftimi për media, u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes për veturat e tyre, të cilat janë cak i vjedhjeve.

Në njoftim të Policisë thuhet se si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit, gjegjësisht dukurisë së vjedhjes së veturave, ku cak i këtyre vjedhjeve janë veturat e shtrenjta të llojit: Audi A5/A6 dhe BMË X5, kryesisht me targa të vendeve tjera, pa përjashtuar edhe ato me targa vendore, këto raste javën e fundit janë evidente edhe në rajonin e Mitrovicës.

“Duke pasur parasysh se fluksi i veturave nëpër rrugë, kryesisht nëpër ato urbane ditëve të fundit është jashtëzakonisht i madh, kapaciteti infrastrukturor nuk përmbush nevojat e mjaftueshme sidomos mundësinë e parkimit të veturave, në këto rrethana drejtuesit e veturave jo rrallëherë ndalojnë dhe parkojnë veturat në vende dhe zona që nuk janë të destinuara për parkim, ku parkimi në rrethana të tilla mund të jetë cak i dëmtimit apo vjedhjes”, thuhet në njoftim.

Më tej, nga Policia kanë thënë se me qëllim të parandalimit të vjedhjes së veturave kanë apeluar tek qytetarët, drejtuesit e veturave, që të kenë kujdes se ku dhe në të cilat zona t’i parkojnë veturat, kryesisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës, po ashtu të kenë parasysh zonat ku nuk ka ndriçim, si dhe t’u rikujtohet drejtueseve se parkimi i veturave të bëhet në mënyrë të sigurt, përfshirë mbylljen e tyre.

Përveç apelit, Policia ka filluar që te qytetarë të shpërndajë fletëpalosje me këshilla për veprime preventive në sigurimin e veturave nga ana e pronarëve./KosovaPress/