Rajon & Botë

Turqia i ofron ndihmë Donald Trumpit

Turqia është e gatshme ta ndajë përvojën e vet me presidentin amerikan, Donald Trump, në përpjekjet e këtij të fundit për ta ripërtërirë infrastrukturën amerikane duke ndërtuar autostrada, aeroporte dhe hekurudha të reja, ka thënë sot kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim.

“Trump e ka shpalosur projektin e tij më kategorik, duke thënë ‘do të ndërtoj hekurudha, rrugë dhe aeroporte.’ Epo, ne jemi të gatshëm. Nëse atyre u nevojitet përvojë, e gjejnë këtu. Nuk bëj shaka. Amerika nuk ka tren të shpejtë, e ne kemi,” ka thënë Yildirim para zyrtarëve të partisë së tij udhëheqëse, Partia për Zhvillim dhe Drejtësi, në Ankara, transmeton Express.

Ai, po ashtu ka shtuar se njerëz nuk duhet ta shohin Turqinë me një sy tjetër.

“Askush nuk duhet ta shohë Turqinë me një sy tjetër. Së fundmi, hapja e aeroportit të Berlinit u shty për herë të gjashtë, në kohën kur ne jemi të gatshëm që ta hapim fazën e parë të aeroportit më të madh në botë, më 26 shkurt 2018,” ka thënë ai.

Njëri nga zotimet e Trumpit gjatë fushatës presidenciale ishte edhe fillimi i një projekti për rinovimin gjithëpërfshirës të infrastrukturës në SHBA.