Arsim & Kulturë

U mbajt uebinari ndërkombëtar “Diplomacia sportive dhe roli i saj në promovimin e shtetësisë së Kosovës”

Organizuar nga Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Sportit, në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Sport, në Kolegjin AAB u mbajt rundi i dytë i uebinarit ndërkombëtar “Diplomacia sportive dhe roli i saj në promovimin e shtetësisë së Kosovës”.

Krahas menaxhmentit të Kolegjit AAB, prorektorëve Shemsedin Vehapi e Uranela Demaj e dekanit të Fakultetit të Kulturës Fizike, Fatmir Pireva, në këtë uebinar kontribuan me pjesëmarrjen e tyre edhe: z. Lorik Cana, Atashe për Rini, Kulturë dhe Sport në Ambasadën Shqipërisë në Romë, dhe ish-kapiten i Kombëtares së Shqipërisë; Znj. Silvija Mitevska, Këshilltare për Sport e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut; z. Gavin Price, Bond University Australia, SOAS University of London dhe bashkautor i “Drejt strategjisë së diplomacisë sportive të Uellsit”; z.. Grant Jarvie, Universiteti i Edinburgut dhe Torontos, ish -këshilltar i Qeverisë Skoceze; znj. Albana Murra, alumni e Kolegjit AAB, specialiste e marketingut, nga Spanja; z. Loïc Tregoures, Instituti Katolik i Parisit, Francë, autor i librit në gjuhën frënge “Futbolli në Kaosin Jugosllav” dhe z. Juan Manuel Montoro, Kërkime dhe Analiza lidhur me Kosovën, kandidat për doktoraturë në Universitetin e Santiago de Compostela, Spanjë.

Me këtë rast, prorektori Shemsedin Vehapi tha se ky ëebinar është shumë i rëndësishëm, sepse po zhvillohet dy-tre ditë para se të kemi ndeshjen kualifikuese për botërorin në futboll të kombëtares së Kosovës me Spanjën. “Ndoshta ne po bëjmë hapa të vegjël që do të ndikojnë gjithashtu në politikë-bërësit në Kosovë dhe veçanërisht në Spanjë. Ne si AAB jemi vërtet gati të japim mbështetjen tonë”, tha Vehapi.

Adnan Ahmeti nga Instituti i Kosovës për Sport tha se edhe pse shteti ynë është vetëm 13 vjeç, deri tani ka marrë pjesë vetëm në dy Olimpiada, por ka fituar tre medalje e të gjitha nga gratë tona atlete. “Është koha që edhe Kosova të ketë strategjinë e vet të diplomacisë sportive dhe ky është një sinjal në të njëjtën kohë për politikëbërësit e Kosovës që ata duhet të bëjnë më shumë për diplomacinë sportive dhe sportin në përgjithësi”, tha Ahmeti.

Për rëndësinë e sportit në diplomaci foli edhe Lorik Cana, ish kapiten i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, aktualisht atashe për rini, kulturë dhe sport ne Ambasadën Shqipërisë ne Romë. Ai tha se futbolli ishte “zëri” i tij për të promovuar identitetin kombëtar dhe për të lobuar për të drejtat tona si komb. “Diplomacia është fuqia e njerëzve, kur ke njerëz me vete dhe ata janë pas teje me vlerat që ndan, ke fuqinë e diplomacisë, si ambasador i vendit tënd sepse përfaqëson vendin tënd. Kemi rastin e Majlinda Kelmendit në Rusi që u bë kampione me flamurin e Kosovës, e që do të ishte e pamundur pa sport”, tha Cana.

Në këtë uebinar u konklutua se sporti mbetet një mjet i fuqishëm për të promovuar vendin tonë, kulturën tonë, vlerat tona veçanërisht kur duam të arrijmë objektivat e politikës së jashtme si shtet.