Rajon & Botë

Uragani Irma i afrohet Bahama, mbyllen aeroportet

Aeroporti ndërkombëtar në Nasau do të mbyllet sot për shkak të uraganit Irma, i cili po lëviz drejt Bahama.

Për shkak të uraganit Irma do të mbyllen edhe aeroportet më të vogla në ishujt fqinj, njoftoi sot qeveria e shtetit Bahama.

Qeveria ka paralajmëruar qytetarët që sa më shpejt të braktisin këtë pjesë të ishujve në lindje të Floridës.

Ndërkohë, edhe guvernatori i Xhorxhisë, Nathan Deal urdhëroi evakuimin e bregut atlantik të shtetit federal amerikan, për shkak të uraganit të fuqishëm Irma, i cili pritet të godasë këtë pjesë të shtunën.

Deal sot urdhëroi evakuim urgjent të banorëve të rajoneve në lindje të autostradës Interstate 95, si dhe për disa rajone në perëndim të kësaj autostrade. Paralajmërimi përfshin 30 qarqe.