Aktuale

“Ushtarakët i çojmë me misione në Afganistan, na kthehen myslimanë të konvertuar”

4 persona u arrestuan në Shkodër dhe masa të jashtëzakonshme u morën në ndeshjen kundër Izraelit, nga frika e një sulmi terrorist. “Dritare me Rudinën” ka rikthyer vëmendjen ndaj kësaj çështjeje, për të shpjeguar sesa real ishte ky rrezik dhe sa normale ishin masat e ndërmarra.

Sipas ish-shefit të SHIK, Fatos Klosi, fenomeni i marrjes së masave në Shkodër, ishte normale pasi shteti ka detyrime të jetë i kujdesshëm ndaj sulmeve terroriste.

“Është fakt që shumë europianë kanë shkuar në Siri, ashtu si edhe shumë shqiptarë që kanë shkuar aty. Çështja ekziston dhe duhet ta trajtojë problemin. Ndonjëherë nxiten më shumë që tregojnë se po bëjnë punë dhe po marrin masa. Shteti ka detyrimin të jetë i kujdesshëm, por ndonjëherë e kalojnë masën. Ndalimi i 150 personave, quhen masa normale. Nuk duhet të ngatërrojmë myslimanët me terrorizmin. Institucionet e këtij vendi duhet ta zgjidhin këtë situatë në mënyrë profesionale, të ndajnë ata që vërtet janë të implikuar në terrorizëm dhe të mos paragjykojnë pjesën tjetër”, tha Klosi.

Sipas drejtorit të “Mapo”, Alfred Lela, shqiptarët nuk janë mësuar me marrjen e masave pasi jemi vendi i masave të pamarra. E në këtë rast prandaj edhe ra shumë në sy.

“Izraelitët konsiderohen një target i preferuar i terrorizmit. Qenia e tyre këtu e rrit këtë rrezik. Vendi ynë është vendi i masave të pamarra, siç është rasti i vdekjeve në Ballsh dhe në Rinas. Kur merren masa që na vështirësojnë jetën por edhe që na e ruajnë, ne kërcejmë kundër. Izraelitët në fillim nuk kanë dashur që të luajnë ndeshjen në Shqipëri dhe kjo do të ishte shumë e rëndë situata. Fakti që u zhvendos ndeshja dhe iu kushtua kaq rëndësi, tregoi se kishte diçka aty. Duhet të mësohemi me këtë situatë, jetojmë në këtë epokë ku jemi të survejuar dhe të përgjuar”, tha Lela.

Historiani Olsi Jazexhi, tha se masat e ndërmarra në Shkodër ishin të përbindshme. Sipas tij, Qeveria mbireagoi për t’ua bërë qejfin disa qarqeve të caktuara.

Masat ishin të përbindshme, sikur ishte një gjendje lufte. Ndalimet masive të rreth 15 besimtarëve ishte si një luftë. Këto masa krijojnë ide negative, se ky shtet na ka skeduar dhe na konsideron si armiq. Që pas 2011, shteti ynë ka marrë disa masa drastike kundër komunitetit mysliman, ka skeduar, ka përgjuar myslimanë deri  në hoxhallarë. Qeveria jonë mbireagoi, për tu bërë qefin disa qarqeve të caktuar, por që la një shije të keqe tek qytetarët. Masa mund të merren, por pse duhet të shënjestrohet një komunitet i caktuar. Sa u përket njerëzve të rikthyer nga Siria, shteti duhet të ngrejë struktura për rehabilitimin e tyre njerëzve. Të krijohen kontakte me Arabinë Saudite, pasi aty janë ato hoxhallarë që bëjnë trushpëlarjen e njerëzve dhe i çojnë në luftë”, tha Jazexhi

Sipas ish shefit të SHIU-t , Ylli Zyla, Shqipëria është një rrezik potencial për të qenë objekt i sulmeve terroriste, por Shqipëria nuk është në gjendje që t’i  luftojë siç duhet. Institucionet përkatëse duhet të investojnë më tepër në këtë sektor dhe të rrisin përgatitjen e njerëzve dhe pajisjen e tyre siç duhet.

“Kjo çështje u hiperbolizua shumë, prej masave ekstreme që u morën. Shqipëria është një rrezik potencial. Masat duhet të ishin proporcionale. Shërbimet e sigurisë nuk janë të përgatitura për një sulm asimetrik. Së pari është shkelja e të drejtave të njeriut. Shërbimi i Sigurisë duhet të kenë kujdes, të mos e kthejnë në bumerang. Shërbimet izraelite ishin ata që zotëruan dhe mbikëqyrën për 72 orë sigurinë. Sigurimet shqiptare dolën në prezencë dhe dolën në indiferencë. Media në këtë rast, nuk e ka artikuluar mirë çështjen, e ka ekzagjeruar pasi 4 të arrestuarve nuk u janë gjetur sende të ndaluara. Dua te bëj një apel që të merren masa nga institucionet përkatëse në kuadër të zhvillimit dhe sofistikimit të pajisjeve dhe mënyrave të survejimit. Shqipëria nuk është në gjendje t’i kontrollojë të gjitha rastet. Përmend këtu rastin e njerëzve që shkojnë në Afganistan, në kuadër të misioneve të bashkëpunimit me NATO, ushtarakët që rikthehen, konvertohen  si myslimanë dhe praktikantë të besimit, kur atje kanë shkuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe jo në emër të fesë”, tha Zyla. /Dritare.net/