Aktuale

Ushtrohen kontrolle policore në disa lokale nate në Ferizaj

Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt ka implementuar planin operativ “Migrimi i parregullt”, gjatë të cilit në pesë lokacione ka legjitimuar dhe kontrolluar një numër të konsideruar të personave, me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar një revole, dy thika dhe një boks metali.

Operacioni policor ka filluar përafërsisht në të gjitha lokacionet në kohën e njëjtë dhe ka përfunduar në të gjitha lokacionet me ushtrim kontrolle kryesisht me fokus në biznese hoteliere të njohura si kafene të natës” Muzikë Live”.

Persona të legjitimuar si mysafir dhe të punësuar në këto pesë lokacione përafërsisht kanë qenë 310 persona, ndërsa shtetas të huaj që janë takuar duke punuar pa vërtetimin për lajmërimin e punës dhe pa leje pune adekuate për të huaj kanë qenë 23 persona.

Shtetasit e huaj që janë konstatuar se janë duke qëndruar dhe duke punuar legalisht janë liruar, ndërsa shtetasve të huaj me qëndrim të pa rregullt u janë sekuestruar përkohësisht dokumentet dhe ndaj tyre do të merren masa bazuar në Ligjin për të Huaj.

Lidhur me personat për të cilët është dyshuar se mund të jenë viktima të trafikimit janë njoftuar zyrtarët policorë nga drejtoria kompetente, të cilët më pastaj kanë vazhduar me procedurat e intervistimit.

Inspektoret e punës kanë plotësuar procesverbalet kundrejt punëdhënësve dhe ndaj atyre punëdhënësve për të cilët ka dëshmi se kanë punësuar shtetas të huaj pa dokumente të rregullta për punë, Inspektorati i punës pritet t’u lëshojë gjoba bazuar në dispozitat ndëshkuese nga Ligji për të Huaj.

the authorE B