Aktuale

Vazhdojnë takimet Kosovë-Serbi: Nesër në Bruksel diskutohet për heqjen e tabelave ilegale në veri

Ministria për Dialog, njofton se nesër dhe pasnesër në Bruksel do të vazhdojnë takimet e nivelit teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në agjendë të këtyre takimeve do të jenë çështja e lëvizjes së lirë dhe ajo për kodin shtetëror telefonik të Republikës së Kosovës.

Ministrja Edita Tahiri, njëherit udhëheqësja e dialogut teknik, deklaron se marrëveshja për reciprocitetin në tabelat e veturave në mes të dy shteteve është arritur javën e kaluar, ndërsa në takimin e nesërm takimi i grupit punues për lëvizjen e lirë do të fokusohet në heqjen e tabelave të mbetura ilegale që qarkullojnë aty-këtu në komunat veriore të Kosovës.

Ndërsa në takimin për çështjen e kodit shtetëror telefonik do të diskutohet për heqjen e bllokadës që Serbia po ia bënë zbatimit të marrëveshjes për telekomin përkatësisht kodit shtetëror telefonik për Republikën e Kosovës.