Aktuale

Vazhdon problemi i qenve endacak, ata shfaqen edhe në QKUK

Problemi i qenve endacakë tash e sa kohë është bërë problem serioz për qytetarët e Kosovës.Edhe pse është kërkuar e thënë shumë për zgjidhjen e këtij problemi, situata vazhdon të jetë e njëjtë. Ndërsa numri i qenve endacakë është në rritje dhe më prezentë se asnjëherë sidomos në lagjet e Prishtinës, çka edhe po bëhet problem serioz për qytetarët në veçanti për ata që ecin në këmbë gjatë mbrëmjeve.

Qytetarët të cilët po përballen me qentë endacakë, kanë treguar për KosovaPress se për ta është shumë shqetësuese prania e qenve endacakë nëpër rrugët e Prishtinës. Ndërkohë që zyrtarë në Komunën e Prishtinës, i thanë KosovaPress-it se qentë endacakë po trajtohen në bazë të ligjit për trajtimin e kafshëve.

Por një problem serioz i qenve po paraqitet edhe në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si për punëtorët e QKUK-së ashtu edhe për pacientët dhe vizitorët atje.

Merita Selmani nga Lipjani, erdhi në vizitë të familjarit të saj pacientë në QKUK, por me të dalë nga klinika u ndesh me qentë, ku fëmija i saj kishte ndjerë frikën.

Selmani tha sa herë që ka ardh në QKUK ka parë shumë qenë endacakë.

“Sapo takova ca qenë endacakë këtu, sa dola prej klinikës se isha tek një i afërt në klinik. Ka shumë qenë endacakë dhe është shqetësuese për fëmijët tanë, sepse djali pati frikë, fëmijët kanë frikë gjithmonë më shumë por as për neve nuk po është mirë. Sa herë kam ardh kam pa qenë endacakë, edhe pse jetoj në Lipjan edhe atje ka shumë qenë endacakë”, tha Selmani.

Qytetari Feriz Zeqiri, thotë se edhe gjatë ditës shohin qenë nëpër oborrin e QKUK-ës, por edhe nëpër rrugët ku ka lëvizje të njerëzve. E për këtë Zeqir kërkon që të bëhet një zgjidhje.

“Qentë endacak pak janë shqetësues sidomos për fëmijët, por edhe për të mëdhenjtë , por tash pasi nuk ka ligj për të eliminuar duhet të ju bëhet një qare me bo një zgjidhje.

Edhe doktoresha Adelina Gashi, në Klinikën e Neurologjisë në QKUK, tha se prania e qenve endacakë po e vështirëson vajtje-ardhjen nëpër klinika për konsultime.

Madje, dokt oresha Gashi tha se me praninë e qenve endacakë përhapen edhe sëmundje të ndryshme.

“Problemi me qentë endacak është problem serioz, në radhë të parë është koha kur neve sidomos gjatë shërbimit 24 orë të kujdestarisë, janë ato problemet është edhe sezona kur këta kanë më të shprehur lëvizjen e tyre dhe që na e pamundësojnë dhe vështirësojnë vajtje ardhje nëpër klinika në konsultime. Ky është një problem serioz…ne dimë edhe pasojat çka vijnë prej një virusi apo diçka tjetër, sëmundjet që i përhapin. Ne po jemi në çdo moment , në çdo minutë jemi në kontakt me virus të ndryshëm, bakteri të ndryshme, dhe nëpërmjet ajrit kaq të ndotur në Kosovë dhe problem më madhor kafsha, e pa vaksinuar, dhe ekzistojnë gjitha gjërat negative”, tha Gashi për KosovaPress.

Ajo gjithashtu ka bërë thirrje nga gjitha institucionet, por edhe nga agjencia e veterinës që të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejtë.
Se qentë endacakë krijojnë problem për stafin shëndetësor që punon në kujdestari e thotë edhe Mirlinda Qyqalla, nga zyra për informim në QKUK.
“Prania e qenve endacak paraqet problem për stafin shëndetësorë që punon në kujdestari dhe ndërrime, sidomos gjatë natës kur edhe duhet të kryhen konsultime nëpër klinikat dhe stafi duhet të lëvizë në hapësirat e jashtme”, ka thënë Qyqalla në një përgjigjeje elektronike për KosovaPress.
Qyqalla ka shtuar se në kuadër të aksioneve që organizon Komuna e Prishtinës, dhe organizatat që merren me mbrojtjen e kafshëve të bëjnë një zgjidhje të problemit.
Udhëheqësi i sektorit për shërbime publike, Habib Qorri, tha për KosovaPress se numri i qenve endacakë është në rritje, edhe për kundër që Komuna e Prishtinës ka trajtuar një numër të madhe të qenve.

“Komuna e Prishtinës është ndër komunat e para që ka filluar në procedura të rregullta ashtu siç e kërkon ligji, të bëjmë trajtimin e kafshëve endacake, ku kemi të bëjmë kryesisht me qentë dhe kjo sidomos ditët e fundit është një rritje e numrit të tyre edhe përkundër asaj që ne vazhdimisht kemi kontratën dhe kemi trajtuar qentë, vetëm këtë vit e kalon numrin 1 mijë që janë trajtuar këtë vit, ndërsa vitin e kaluar mbi 1500 janë trajtuar. Mirëpo, problemi është në atë se likuidimi dhe heqja e tyre fizike nuk lejohet me ligj, përveç atyre rasteve të cilat konstatohen nga veterinari”, tha Qorri.

Qorri ka theksuar se derisa niveli qendror nuk do të sjellë ndonjë rregullore apo ndonjë ndryshim të ligjit se në cila forma të trajtohen kafshët, me problemin e qenve endacakë do të vazhdoj të përballet Prishtina bashkë me qytetet tjera.

Por Qorri tha se edhe hedhja e mbeturinave në vendet jo të duhura është njëri nga pasojat që po bënë që prania e qenve endacakë të jetë në ato pjesë.

“Komuna e Prishtinës do ta bart barrën e tjerave për arsyeje se prurjet janë shumë të mëdha. Vërehen çdo ditë në Komunë e Prishtinës grupe të reja të qenve…dhe kur prurjet janë të reja dhe ka grupe të reja tash fillojnë ato luftërat mes tyre dhe paraqesin gjithsesi rrezik, por nëse jo rrezik gjithsesi frikë te qytetari. Ne në vazhdimësi jemi duke punuar me kompaninë, duke e parë që numri i tyre, e sidomos ditëve të fundit është rritur në të gjitha lagjet e Prishtinës, ku janë disa lagje me theks më të veçantë siç është lagjja Kalabri, tu shku deri te tregu me shumicë, për arsyeje se hedhja e mbeturinave dhe hedhja e eshtrave në mënyrë të paligjshme nga mishtoret bënë tërheqje të madhe të numrit të qenve në atë pjesë”, theksoi Qorri.

Kujtojmë, që vitin e kaluar nga kafshimi qenve endacakë ka vdekur një gjashtë vjeçar. /KP

the authorSamir Dalipi