Aktuale

Vdes shtatzëna e prekur nga koronavirusi – arrin në 16 totali i viktimave në Kosovë

Pacientja shtatzënë e prekur me koronavirusin Covid-19 që ishte e shtruar në Klinikën Infektive ka vdekur mëngjesin e sotëm.

Lajmin e ka konfirmuar Klinika Infektive.
“Klinika Infektive e QKUK-së njofton se gjatë orëve të para të datës 21. 04. 2020 në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike ka ndërruar jetë pacientja V.P. me vendbanim në Gjakovë (1980) e diagnostikuar me Covid-19. E njëjta, ishte shtatzënë dhe po trajtohej në mjekimin intensive të klinikës që prej datës 15 prill 2020”, përfundon njoftimi.

Gruaja shtatzënë kishte pasur përkeqësime prej kur ishte shtruar në Infektivë, derisa nuk është bërë e ditur për gjendjen e foshnjës.

Deri tash në Kosovë janë të infektuar 598 persona derisa 16 kanë vdekur dhe 123 janë të shëruar.

Sipas QKUK-së, kjo është vdekja e 13-të e pacientëve me Covid-19 në këtë klinikë dhe e 16-ta në nivel të shtetit.

Njoftimi i plotë nga Klinika Infektive-QKUK:

Prishtinë, 21 prill 2020
Klinika Infektive e QKUK-së njofton se gjatë orëve të para të mëngjesit të datës 21. 04. 2020 në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike ka ndërruar jetë pacientja V.P. me vendbanim në Gjakovë (1980) e diagnostikuar me Covid-19.

E njëjta, ishte shtatzënë dhe ishte në mjekimin intensive të klinikës që prej datës 15 prill 2020.

Kjo është vdekja e 13, e pacientëve me Covid-19 në këtë klinikë dhe e 16-ta në nivel të shtetit.

Në Klinikën Infektive, QKUK, sot më 21/04/2020, janë të hospitalizuar gjithsej 64 raste.

Prej tyre të sëmurë me Covid -19 janë gjithsej 55 raste.

Nga 55 pacientë të infektuar me Covid 19,
• 42 raste janë në gjendje stabile
• 12 raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive
• Në mjekimin intensiv vazhdon të jetë në gjendje kritike një pacient në ventilim mekanik dhe përkujdesje intensive.

Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, nuk ka raste të reja të infeksionit brenda-spitalor.
(Raporti-Klinika Infektive, Dr.S.N.)