Sport

Vëllai i Messit në burg, sulmoi policinë dhe kërcënoi shoferin me armë

Një prokuror i shtetit konfirmoi që policia kishte thënë se Matias Messi rezistoi ndaj arrestimit, teksa u ndalua pas aksidentit gjatë pushimeve të Villa Gesell, të shtunën në mbrëmje. Javier Rivera, 24 vjeç, e kishte akuzuar vëllain e madh të futbollistit argjentinas për kërcënim me një pistoletë, pas një konfrontimi.

Avokati i tij, gjithashtu, mbështeti historinë e tij, duke pretenduar se Matias e kishte fyer dhe sulmuar klientin e tij dhe e kishte shtyrë atë para se të ikte nga vendi i ngjarjes dhe të ndalohej nga policia. 35-vjeçari, i cili pretendon se u largua nga skena prej frikës për sigurinë e tij, pasi u sulmua më parë, e kaloi natën e së shtunës në një qeli policore.

Një gjykatës kishte për detyrë të vendoste natën e mbrëmshme nëse do ta lironte, ose vërtetonte vendimin për ta mbajtur atë në paraburgim, megjithëse nuk ishte menjëherë e qartë këtë mëngjes nëse ishte mbajtur një seancë dëgjimore apo dhënë ndonjë vendim.

Juan Pablo Calderon, prokurori në detyrë i rastit gjatë fundjavës, konfirmoi mbrëmë vonë: “Unë kam kërkuar nga gjykatësi që ta mbajë në paraburgim për shkak të akuzave që janë bërë kundër tij. Prokurorët e shtetit po e akuzojnë atë për tri gjëra. Njëra prej tyre lidhet me kërcënimin e rëndë përmes një arme zjarri, së bashku me plagë të lehta.

Një tjetër është dëmtimi dhe e treta, kundërvënia ndaj policisë. Ne e kuptojmë se ai rezistoi për shkak të asaj që është shkruar në raportet e rastit. Ai u përpoq të sulmonte oficerët e policisë, që po e identifikonin”. Duke konfirmuar se asnjë armë nuk ishte gjetur në “Range Rover” e zi të Matias Messi, kur u ndalua, por vetëm dy cigare gjysmë të tymosura, që mendohet se ishin me kanabis, ai shtoi: “Viktima e supozuar si dhe dëshmitarë të tjerë okularë kanë thënë se ky person kishte një armë zjarri. Po ashtu, oficerët e policisë thonë se i ofendoi dhe sulmoi ata. Pra, veproi në një mënyrë armiqësore ndaj policisë.

Të dy djemtë e përfshirë në aksidentin e trafikut kishin lëndime, sy të nxirë, pasi dyshohet se shkëmbyen goditje. Matias ka ngritur, gjithashtu, akuza kundër automobilistit tjetër”.

Një prokuror tjetër i shtetit, juridiksioni i të cilit mbulon zonën ku ndodhi incidenti, Calderon tha: “Gjykatësi duhet të vendosë nëse do ta vërtetojë këtë arrestim, sepse teknikisht ai nuk është arrestuar dhe, pas kësaj, ai do të shkojë në një vend të përshtatshëm, nëse gjyqtari vendos se duhet të mbetet në paraburgim.

“Range Rover”, të cilën e kishte në përdorim vëllai i futbollistit, është konfiskuar si pjesë e hetimit të vazhdueshëm. Rivera, i përfshirë në këtë sherr, duke folur pak pas aksidentit, tha: “Unë parkova për të parë nëse më kishte goditur. Kur dola jashtë, pashë personin tjetër, që menjëherë filloi të më fyente dhe pastaj më sulmoi e më shqeu fanellën.

Pastaj, ai filloi të më kërcënonte dhe u kthye në makinën e tij, ku mori një armë. Pas përleshjes u kthye në automjetin e tij dhe u përpoq të largohej. Ai u arratis nga policia dy herë para se të kapej”.